Psalmet 45 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut», himn i bijve të Korahut. Këngë dashurie.

2Fjalë të mira më burojnë nga zemra,

mbretit këngën time ia kushtoj,

gjuha ime si pendë bukurshkruesi.

3Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve,

nga buzët e tua rrjedh hijeshi,

ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim.

4Ngjishe shpatën në ijë, o trim,

për shkëlqimin dhe madhështinë tënde.

5Ec përpara me madhështi,

për çështjen e së vërtetës kalëro,

për butësinë e për drejtësinë.

E djathta jote të dëfteftë mrekullira.

6Shigjetat e tua janë të mprehta

për zemrat e armiqve të mbretit.

Nën ty popuj do të bien.

7Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë,

skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie.

8Ti e do drejtësinë,

por urren paudhësinë.

Perëndia të vajosi, Perëndia yt,

me vaj ngazëllimi,

si askënd nga shokët e tu.

9Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë,

nga pallatet e tua të fildishta

tinguj harpash të gëzojnë.

10Bija mbretërish ka në shpurën tënde,

një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron,

stolisur me ar Ofiri.

11Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh!

Harroje popullin tënd

e shtëpinë e atit tënd!

12Mbretit do t'i pëlqejë bukuria jote,

ai do të jetë zotëria yt

dhe para tij do të përkulesh.

13Bija e Tirit do të vijë me dhurata,

të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd.

14Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi,

rrobat e saj me ar qëndisur.

15Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit

e pas i vjen shpura e virgjëreshave,

shoqet, që para teje i paraqesin.

16I sjellin me gëzim e me hare,

i çojnë në pallatin e mbretit.

17Pas etërve do të vijnë bijtë e tu,

princa do t'i bësh në mbarë tokën.

18Do ta përkujtoj emrin tënd brez pas brezi,

ndaj dhe popujt do të të falënderojnë përjetë e në amshim.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help