Zanafilla 31 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jakobi ikën nga Labani

1Jakobi dëgjoi që të bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë dhe gjithë këtë pasuri e përfitoi prej tij».

2Jakobi vuri re se Labani nuk e shihte si më parë.

3Atëherë Zoti i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e të parëve, te të afërmit e tu, e unë do të jem me ty».

4Kështu, Jakobi dërgoi njerëz dhe thirri Rakelën e Lean në fushën, ku po kullotnin kopetë e tij,

5e u tha: «Kam vënë re se ati juaj nuk më sheh si më parë, por Perëndia i atit tim ka qenë me mua.

6Ju vetë e dini se i kam shërbyer atit tuaj me gjithë forcën time.

7Por ai më mashtroi e ma ndërroi pagën dhjetë herë. Megjithatë, Perëndia nuk e lejoi të më bëjë keq.

8Kur thoshte: “Pikaloshet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti pikaloshe. Dhe kur thoshte: “Laramanet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti laramane.

9Kështu, Perëndia ia mori bagëtitë atit tuaj e m'i dha mua.

10Në kohën kur mbarseshin bagëtitë, pashë një ëndërr ku cjeptë që po ndërzeheshin ishin laramanë, pikaloshë e me pulla.

11Dhe në ëndërr, engjëlli i Perëndisë më tha: “Jakob!”. E unë thashë: “Ja ku jam!”.

12Ai tha: “Kam parë gjithçka që të ka bërë Labani, prandaj ngriji sytë e shiko tërë cjeptë që po ndërzehen. Ata janë laramanë, pikaloshë e me pulla.

13Unë jam Perëndia që t'u shfaq në Betel, aty ku ti vajose një përmendore e m'u betove. Tani, ngrihu e dil nga ky vend e kthehu në vendlindjen tënde”».

14Atëherë Rakela e Lea iu përgjigjën: «As ne nuk kemi më pjesë e trashëgimi në shtëpinë e atit tonë.

15A nuk na ka trajtuar si të ishim të huaja? Na shiti e na i hëngri tërë paratë.

16Gjithë pasuria që Perëndia ia mori atit tonë, është e jona dhe e bijve tanë. Prandaj, bëj siç të tha Perëndia».

17Kështu, Jakobi u ngrit e i vuri bijtë e gratë mbi deve.

18Mori bagëtinë e tërë pasurinë që kishte fituar në Padan Aram e u nis për në Kanaan, tek Isaku, ati i tij.

19Ndërsa Labani kishte shkuar për të qethur dhentë, Rakela vodhi idhujt e të atit.

20Jakobi e mashtroi Laban Arameasin, sepse nuk i tregoi se do të largohej.

21Kështu, Jakobi u largua me gjithçka kishte. Ai u ngrit, kaloi lumin Eufrat e u drejtua kah mali i Gileadit.

Labani ndjek Jakobin

22Ditën e tretë, i treguan Labanit se Jakobi kishte ikur.

23Atëherë Labani bashkë me vëllezërit e vet e ndoqi për shtatë ditë dhe e arriti në malin e Gileadit.

24Perëndia iu shfaq Laban Arameasit natën në ëndërr e i tha: «Ruaj se i thua gjë Jakobit!».

25Kur Labani e arriti Jakobin, Jakobi e kishte ngritur tendën në malin e Gileadit. Edhe Labani bashkë me vëllezërit i ngritën tendat po aty.

26Atëherë Labani i tha Jakobit: «Çfarë bëre kështu? Më mashtrove e m'i rrëmbeve vajzat sikur të ishin robinja lufte.

27Përse ike tinëz e më mashtrove? Përse nuk më tregove që të të përcillja me gëzim e me këngë, me lodër e me qeste?

28Përse nuk më le t'i puth bijtë e bijat e mia? Bëre marrëzi!

29Tani më ke rënë në dorë, por Perëndia i atit tënd më tha mbrëmë: “Ruaj se i thua gjë Jakobit!”.

30Ti u largove se të ka marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, po idhujt pse m'i vodhe?».

31Jakobi iu përgjigj: «Ika se pata frikë. Mendoja se do të m'i merrje me dhunë bijat e tua.

32Atij që do t'ia gjesh idhujt e tu, ai nuk do të jetojë më. Kërko e merr çka të përket në prani të vëllezërve tanë». Ai nuk e dinte se idhujt i kishte vjedhur Rakela.

33Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas e në tendën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pasi doli nga tenda e Leas, hyri në atë të Rakelës.

34Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt, i kishte vënë në samarin e devesë dhe ishte ulur mbi to. Labani rrëmoi në gjithë tendën, por nuk gjeti gjë.

35Ajo i tha të atit: «Të mos zemërohet imzot që nuk mund të ngrihem para tij, sepse jam me të përmuajshmet e grave». Ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.

36Atëherë Jakobi u zemërua e shfreu kundër Labanit: «Çfarë faji bëra? Çfarë mëkati bëra që të më ndjekësh kështu

37e të rrëmosh në çdo gjë timen? A gjete gjë tënden? Nxirri, pra, para vëllezërve të mi e të tu që ata të gjykojnë mes nesh.

38Gjatë njëzet vjetëve që kam qenë me ty nuk të dështuan as delet, as dhitë dhe deshtë e kopesë nuk t'i hëngra.

39Nuk të solla asnjë bagëti të shqyer nga bishat, sepse dëmin e paguaja vetë. Çfarëdo vidhej ditën apo natën e kërkoje nga dora ime.

40Ditën më këpuste vapa e natën ngrica e nuk vija gjumë në sy.

41Njëzet vjet kam qenë në shtëpinë tënde. Katërmbëdhjetë vjet të shërbeva për bijat e tua e gjashtë vjet për kopetë, ndërsa ti ma ndërrove pagën dhjetë herë.

42Po të mos kishte qenë me mua Perëndia i Abrahamit, atit tim, dhe Tmerri i Isakut, ti tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i pa vuajtjet e mundin tim dhe prandaj të qortoi mbrëmë».

Besëlidhja mes Jakobit e Labanit

43Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto bagëti janë bagëtitë e mia dhe çdo gjë që sheh janë të miat. Por çfarë t'u bëj sot bijave të mia apo bijve që ato lindën?

44Eja të lidhim një besëlidhje mes meje e teje si dëshmi mes nesh».

45Kështu Jakobi mori një gur dhe e ngriti si përmendore.

46Ai u tha të vetëve: «Mblidhni gurë!». Ata bënë një pirg me gurët që mblodhën e pastaj hëngrën pranë tyre.

47Labani e quajti pirgun e gurëve Jegar Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed.

48Labani tha: «Sot, ky pirg gurësh është dëshmi mes meje e teje». Prandaj u quajt Galed

49e Micpah, sepse tha: «Zoti shikoftë mes meje e teje, kur të jemi larg njëri-tjetrit.

50Nëse i keqtrajton bijat e mia ose merr gra të tjera, edhe pse nuk do të ketë njeri pranë, shiko se Perëndia do të jetë dëshmitar mes meje e teje».

51Pastaj Labani tha: «Ja pirgu i gurëve e përmendorja që vura mes meje e teje.

52Ato janë dëshmi se as unë e as ti nuk do ta kalojmë këtë përmendore për t'i bërë keq njëri-tjetrit.

53Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, perënditë e etërve të tyre, gjykofshin mes nesh». Atëherë Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij.

54Jakobi kushtoi një fli në mal e i thirri vëllezërit të hanë. Ata hëngrën dhe e kaluan natën në mal.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help