1Të gjithë izraelitët u bashkuan si një trup i vetëm para Zotit në Micpah, të ardhur nga Dani e deri nga Bersheba, si edhe nga vendi i Gileadit.
2Krerët e mbarë popullit të fiseve të Izraelit u mblodhën në kuvendin e popullit të Perëndisë. Ishin mbledhur edhe katërqind mijë luftëtarë këmbësorie me shpata në dorë.
3Ndërkohë pasardhësit e Benjaminit morën vesh se izraelitët ishin mbledhur në Micpah. Atëherë izraelitët pyetën: «Na thoni, si ndodhi kjo poshtërsi?».
4Leviti, burri i gruas që u vra, u përgjigj: «Kisha shkuar në Gibeah të Benjaminit bashkë me shemrën për të kaluar natën.
5Atëherë banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë ku po rrija. Ata donin të më vrisnin mua dhe shemrën time e përdhunuan derisa vdiq.
6Pastaj unë e mora shemrën, e ndava në copa dhe i nisa nëpër të gjitha trojet e Izraelit, sepse ata bënë kob e poshtërsi në Izrael.
7Tani, pra, të gjithë ju, o izraelitë të mbledhur këtu, kuvendoni dhe vendosni».
8Mbarë populli u ngrit njëzëri në këmbë e tha: «Asnjëri nga ne nuk do të kthehet në tendën e vet e askush nuk do të niset për në shtëpi.
9Ja si do të veprojmë me Gibeahun: do të hedhim short
10e do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë vetë në njëqind, njëqind në një mijë dhe një mijë në dhjetë mijë. Këta do t'u sjellin ushqime luftëtarëve që do të shkojnë të sulmojnë Gebën e Benjaminit për të gjitha poshtërsitë që bënë në Izrael».
11Të gjithë burrat e Izraelit, të mbledhur si një trup i vetëm, iu vërsulën qytetit të Gibeahut.
12Fiset e Izraelit u dërguan lajmëtarë të gjithë pasardhësve të fisit të Benjaminit për t'u thënë: «Ç'është kjo ligësi që u krye ndër ju?
13Na i dorëzoni, pra, ata burra të poshtër nga Gibeahu, që t'i vrasim e ta zhbijmë të keqen nga Izraeli». Por pasardhësit e Benjaminit nuk deshën t'i dëgjonin vëllezërit e tyre izraelitë.
14Atëherë pasardhësit e Benjaminit u mblodhën nga të gjitha qytetet në Gibeah për të luftuar kundër izraelitëve.
15Pasardhësit e Benjaminit numëronin atë ditë njëzet e gjashtë mijë luftëtarë që përdornin shpatën, të ardhur nga qytetet e tjera, pa numëruar shtatë mijë burrat e përzgjedhur mes banorëve të Gibeahut.
16Mes këtyre luftëtarëve, ishin shtatëqind burra të zgjedhur, që përdornin dorën e majtë në vend të së djathtës. Ata ishin të aftë të qëllonin fijen e flokut me hobe, pa gabuar shenjën.
17Të gjithë luftëtarët e Izraelit që përdornin shpatën, pa numëruar ata të Benjaminit, ishin katërqind mijë burra.
18Izraelitët shkuan në Betel, u këshilluan me Perëndinë e thanë: «Kush do të hidhet i pari në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit?». Zoti tha: «I pari do të sulmojë fisi i Judës».
19Izraelitët u ngritën në mëngjes dhe fushuan afër Gibeahut.
20Pastaj u bënë gati për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit e u vunë në rresht luftimi përballë qytetit.
21Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm nga Gibeahu dhe atë ditë shtrinë përtokë njëzet e dy mijë izraelitë të vdekur.
22Izraelitët i mblodhën sërish forcat dhe u rreshtuan edhe një herë për të luftuar në të njëjtin vend, ku ishin rreshtuar ditën e parë.
23Ata kishin shkuar e kishin qarë para Zotit deri në mbrëmje dhe e kishin pyetur në duhej t'i sulmonin sërish pasardhësit e Benjaminit. Zoti u kishte thënë: «Hidhuni në sulm!».
24Izraelitët i sulmuan pasardhësit e Benjaminit edhe ditën e dytë.
25Luftëtarët e Benjaminit dolën nga Gibeahu dhe ditën e dytë shtrinë të vdekur përtokë tetëmbëdhjetë mijë burra izraelitë, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën.
26Izraelitët shkuan përsëri në Betel. Atje vajtuan dhe u ulën në prani të Zotit. Atë ditë agjëruan deri në mbrëmje dhe i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe paqtimi.
27Izraelitët u këshilluan sërish me Zotin. Në atë kohë arka e Besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty.
28Gjatë atyre ditëve para saj shërbente Finehasi, biri i Eleazarit, të birit të Aronit. Izraelitët pyetën Zotin nëse duhej të hidheshin sërish në sulm kundër pasardhësve të Benjaminit, vëllezërve të tyre, apo ta ndalnin sulmin. Zoti u tha: «Sulmojini nesër, sepse ua kam dorëzuar».
29Atëherë izraelitët ngritën prita përreth Gibeahut.
30U përgatitën për të sulmuar pasardhësit e Benjaminit dhe u rreshtuan përballë Gibeahut si herët e tjera.
31Pasardhësit e Benjaminit u hodhën në sulm dhe izraelitët i tërhoqën larg nga qyteti. Ashtu si herët e tjera, pasardhësit e Benjaminit vrisnin e plagosnin izraelitë gjatë udhës për në Betel dhe për në arat e Gibeahut. Vranë rreth tridhjetë izraelitë.
32Pasardhësit e Benjaminit menduan se izraelitët po mposhteshin si më parë, por izraelitët morën arratinë për t'i tërhequr kundërshtarët nëpër fusha, sa më larg qytetit.
33Atëherë të gjithë izraelitët lëvizën nga vendet e tyre të luftimit dhe u rreshtuan për sulm në Baal Tamar. Edhe izraelitët e tjerë dolën nga pritat në fushat e Gebës.
34Dhjetë mijë izraelitë të zgjedhur u vërsulën kundër Gibeahut. Beteja u bë shumë e ashpër dhe pasardhësit e Benjaminit nuk e kishin kuptuar ende fatkeqësinë që po u afrohej.
35 Zoti e mposhti Benjaminin në prani të Izraelit dhe atë ditë izraelitët vranë njëzet e pesë mijë e njëqind luftëtarë të aftë për të përdorur shpatën.
36Pasardhësit e Benjaminit panë se po mposhteshin. Izraelitët i lanë të iknin, sepse kishin besim te prita, që kishin ngritur para Gibeahut.
37Ata që kishin zënë pritë sulmuan menjëherë Gileadin, e pushtuan dhe vranë me shpatë të gjithë banorët e tij.
38Izraelitët kishin caktuar si shenjë me ata që kishin zënë pritë, ngritjen e një shtëllunge të madhe tymi nga qyteti.
39Kur izraelitët ishin tërhequr gjatë betejës, pasardhësit e Benjaminit ishin hedhur në sulm dhe kishin vrarë tridhjetë vetë, duke kujtuar se izraelitët po mposhteshin si herën e parë.
40Por, në atë çast, nga qyteti u ngrit një shtëllungë e madhe tymi. Pasardhësit e Benjaminit u kthyen dhe panë se qytetit ishte pushtuar nga flakët.
41Atëherë izraelitët u kthyen dhe pasardhësit e Benjaminit u tmerruan, se e kuptuan fatkeqësinë që po u afrohej.
42U kthyen për t'u tërhequr nga izraelitët, duke marrë udhën drejt shkretëtirës, por izraelitët i sulmuan edhe aty. Pastaj i sulmuan edhe ata që dogjën qytetin.
43Izraelitët i rrethuan pasardhësit e Benjaminit, i ndoqën pa pushim dhe i mposhtën jashtë Gibeahut, në lindje.
44Tetëmbëdhjetë mijë burra të fisit të Benjaminit, të gjithë luftëtarë trima, mbetën të vrarë.
45Të tjerët morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit. Pesë mijë prej tyre u vranë gjatë udhës. Izraelitët i ndoqën deri në Gidom dhe vranë edhe dy mijë burra të tjerë.
46Atë ditë u vranë njëzet e pesë mijë burra nga fisi i Benjaminit, të gjithë të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë trima.
47Gjashtëqind burra u tërhoqën e morën arratinë drejt shkretëtirës, për te shkëmbi i Rimonit, ku qëndruan për katër muaj.
48Pastaj izraelitët u kthyen dhe sulmuan pasardhësit e mbetur të Benjaminit. Në çdo qytet ata kaluan në teh të shpatës të gjithë banorët, bagëtitë e gjithçka që gjenin. Të gjitha qyteteve që gjetën para, ata u vunë flakën.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.