Veprat 14 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Pali e Barnaba në Ikon

1Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin.

2Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve.

3Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.

4Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt.

5Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë,

6apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth.

7Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.

Pali e Barnaba në Listër

8Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë.

9Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej,

10i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte.

11Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!».

12Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.

13Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime.

14Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur:

15«O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to.

16Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre.

17Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».

18Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.

19Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur.

20Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.

Kthimi në Antiokinë e Sirisë

21Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki.

22Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë».

23Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.

24Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili.

25Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali.

26Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.

27Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve.

28Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help