1Filopatori, mbreti i pafe, i mori vesh këto gjëra, u tërbua jo vetëm kundër judenjve të Aleksandrisë, por edhe më shumë kundër atyre që jetonin në krahinat e tjera të vendit. Urdhëroi t'i mblidhnin të gjithë sa më shpejt e t'i vrisnin në mënyrën më mizore.
2Teksa këto filluan të viheshin në zbatim, u përhapën shpifje kundër judenjve prej disave që donin t'u bënin keq, kinse judenjtë i pengonin të ndiqnin doket e tyre.
3Në të vërtetë judenjtë e ruanin mirësinë dhe besnikërinë për mbretërit,
4por nderonin edhe Perëndinë e ligjin e tij. Nuk hanin të njëjtat ushqime si të tjerët dhe për këtë i urrenin.
5Meqenëse shquheshin për sjelljen e tyre të drejtë e të mirë, gëzonin nderimin e të gjithëve.
6Këtë sjellje të paqortueshme të mbarë kombit, që e njihnin të gjithë, të huajt nuk e pranonin aspak,
7por shkaktuan trazirë të madhe për adhurimet e për ushqimet. Ata thoshin se judenjtë nuk përkrahnin as mbretin e as ushtrinë e tij, por i kundërviheshin e ishin armiqësorë ndaj çdo gjëje mbretërore. Ata përhapën shumë shpifje.
8Helenët e qytetit nuk ishin përfshirë në këto trazira. E panë këtë trazirë të papritur dhe amullinë që u krijua kundër judenjve, por nuk mund të ndihmonin assesi, sepse gjendja ishte shtypëse. I ngushëllonin, u vinte keq për ta dhe mendonin se gjendja do të ndryshonte.
9Kjo nuk mund të kalonte pa u vënë re, sepse judenjtë ishin të pafajshëm.
10Disa nga fqinjët, miqtë e tregtarët, me të cilët jepnin e merrnin fshehurazi, u përpoqën t'i mbronin e të bënin gjithçka për t'i përkrahur.
11Por mbreti, krenar për begatinë e arritur dhe shpërfillës ndaj pushtetit të Perëndisë madhështor, nguli këmbë deri në fund për synimet e tij e shkroi këtë letër kundër tyre:
12«Mbreti Ptoleme Filopatori, kryeushtarakëve dhe ushtarëve në Egjipt e gjetiu, të fala e shëndet!
13Unë vetë jam mirë e punët e mbretërisë shkojnë mirë.
14Fushata që ndërmorëm në Azi, siç jeni në dijeni, pati përfundim të mirë me ndihmën e veçantë të perëndive.
15Arritëm të merreshim me banorët e Sirisë së Madhe e të Fenikës, jo me forcën e ushtës, por me butësi e me shumë njerëzi, dhe ia dolëm t'u bënim mirë me shumë dëshirë.
16Tempujve të qyteteve u bëra dhurata të shumta. Mandej vijuam udhëtimin e shkuam në Jerusalem për të nderuar tempullin e këtyre të ndyrëve që nuk tërhiqen nga marrëzia e tyre.
17Me fjalë ata e pritën mirë praninë tonë, por nuk ishin të sinqertë. Kur donim të hynim në tempullin e tyre për të nderuar kushtimet e tyre të mrekullueshme e të bukura,
18të shtyrë nga kryeneçësia e paraardhësve, nuk na lejuan të futeshim, ngaqë nuk përdorëm forcën për shkak të njerëzisë që kemi me të gjithë.
19Pakënaqësinë e tyre ndaj nesh e treguan hapur. Janë të vetmit ndër kombe që e mbajnë kryet lart përpara mbretërve dhe bamirësve të tyre, pa dashur t'u japin asnjë përkrahje të sinqertë.
20Por ne e kapërcyem këtë marri të tyre dhe, pas fitores, u kthyem në Egjipt dhe e trajtuam çdo komb me njerëzi, ashtu siç duhej.
21Pavarësisht këtyre, të gjithë e dinë se nuk u mbajmë mëri bashkëkombësve të tyre. Për përkrahjen e për shërbimet e tyre të shumta në detyra të ndryshme, dëshironim shumë ta ndryshonim gjendjen e tyre, t'i bënim qytetarë aleksandrinë dhe pjesëmarrës në shërbesat tona të shenjta e të lashta.
22Por ata e pritën mbrapsht këtë vendim dhe, me ligësinë e tyre të rrënjosur, e hodhën poshtë të mirën. Duke qenë përherë të prirur nga e keqja,
23jo vetëm që e hodhën poshtë qytetarinë e paçmueshme, por përçmojnë me fjalë apo me heshtje edhe ata pak prej tyre, që sillen mirësisht me ne. Pandehin se me jetesën e tyre poshtëruese do të përshpejtojnë rrënimin e synimeve tona.
24Jemi mëse të bindur nga këto të dhëna se ata janë keqdashës ndaj nesh me çfarëdolloj mënyre. Prandaj, për t'i paraprirë ndonjë trazire të papritur e për të mos i patur pa shpine këta tradhtarë të pafe, këta kundështarë të prapambetur,
25lëshuam këtë urdhër: sapo të merrni këtë letër, judenjtë që banojnë mes jush na i dërgoni, bashkë me gratë e fëmijët, të keqtrajtuar, të lidhur me vargonj hekuri e të poshtëruar, për t'i çuar drejt vdekjes mizore e të turpshme, që meritojnë.
26Jemi të bindur se, pasi të jenë ndëshkuar të gjithë këta, punët tona do të shkojnë më së miri, se do të ketë qëndrueshmëri dhe se gjendja do të përmirësohet.
27Kush fsheh ndonjë jude, të moshuar, fëmijë apo foshnjë gjiri, të vritet me mundime të tmerrshme bashkë me familjen.
28Kush dëshiron të padisë ndonjë jude, të marrë të mirat e të paditurit, si dhe dy mijë drahma argjendi nga thesari mbretëror e të shpërblehet me liri.
29Çdo vend, ku do të ketë gjetur strehë ndonjë jude, të rrënohet, t'i vihet flaka e të bëhet përgjithmonë vend i papërdorshëm për çdo qenie të vdekshme».
30Kjo shkruhej në letër.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.