Romakëve 16 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Përshëndetjet

1Po ju lë nën kujdes motrën tonë Febën që shërben në kishën e Kenkresë.

2Pranojeni në emër të Zotit, siç u ka hije të shenjtëve dhe qëndrojini përkrah në çdo gjë që të ketë nevojë për ju, sepse ajo ka ndihmuar shumë veta dhe më ka ndihmuar edhe mua.

3Përshëndetni bashkëpunëtorët e mi në veprën e Krishtit Jezu, Priskën e Akuilin,

4që vunë kokën e tyre në rrezik për jetën time. Ata i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve.

5Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.

Përshëndetni mikun tim të dashur Epenetin që është fryti i parë për Krishtin në Azi.

6Përshëndetni Marinë që u mundua shumë për ju.

7Përshëndetni kushërinjtë e mi Andronikun e Junën që kanë qenë në burg me mua e shquhen ndër apostuj. Në të vërtetë, ata kanë besuar në Krishtin përpara meje.

8Përshëndetni Ampliatin, mikun tim të dashur në Zotin.

9Përshëndetni bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, Urbanin dhe mikun tim të dashur Stakun.

10Përshëndetni Apelin që është i sprovuar për Krishtin.

Përshëndetni ata të shtëpisë së Aristobulit.

11Përshëndetni kushëririn tim Herodionin.

Përshëndetni ata të shtëpisë së Narcisit që besojnë në Zotin.

12Përshëndetni Trifenën e Trifozën që mundohen për Zotin.

Përshëndetni Persidën e dashur që është munduar shumë për Zotin.

13Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin nga Zoti dhe nënën e tij, që e kam si nënë edhe unë.

14Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin e vëllezërit që janë me ta.

15Përshëndetni Filologun e Julian, Nereun e motrën e tij, Olimpin dhe të gjithë të shenjtët që janë me ta.

16Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.

Të gjitha kishat e Krishtit ju përshëndesin.

17Po ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe bëhen pengesë, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Largohuni prej tyre.

18Njerëz të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të tyre. Përmes fjalëve të bukura e lajkave ata mashtrojnë zemrat e të paditurve.

19Ngazëlloj me ju pasi të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj ndaj Zotit. Dua që të jeni të urtë për të bërë të mirën, por të pastër përballë së keqes.

20Perëndia i paqes do ta shtypë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!

21Ju përshëndesin bashkëpunëtori im Timoteu dhe kushërinjtë e mi Luci, Jasoni e Sosipatri.

22Ju përshëndes në emër të Zotit unë, Terti, që po shkruaj këtë letër.

23-24Ju përshëndet Gaji, mikpritësi im dhe i gjithë kishës. Ju përshëndet Erasti, thesarmbajtësi i qytetit dhe vëlla Kuarti.

Përlëvdimi

25Qoftë i lavdëruar Perëndia që ka pushtetin t'ju forcojë në besim me ungjillin që predikoj unë për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së shestimit të fshehtë të Perëndisë. Ky shestim ka qenë ruajtur në heshtje që prej shumë shekujsh,

26ndërsa tani u shfaq e iu bë i njohur të gjitha kombeve përmes Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të Perëndisë së amshuar për t'i bërë ato t'i binden e t'i besojnë Perëndisë.

27Të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në amshim, përmes Jezu Krishtit! Amen!

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help