1Kur qyteti i shenjtë jetonte në paqe të plotë e ligjet zbatoheshin me përpikëri, se kryeprifti Onia ishte njeri besimtar dhe e urrente ligësinë,
2edhe mbretërit e nderonin vendin e i jepnin lavdi tempullit me dhuratat më të mira,
3aq sa Seleuku, mbreti i Azisë, mbulonte me të ardhurat e veta të gjitha shpenzimet për shërbesën e flive.
4Njëfarë Simoni, nga fisi i Benjaminit, që ishte caktuar përgjegjës i tempullit, pati mosmarrëveshje me kryepriftin në lidhje me tregun e qytetit.
5Meqë nuk e mundi dot Oninë, shkoi tek Apolloni nga Tarsi, që në atë kohë ishte kryeushtaraku i Sirisë së Madhe e Fenikës,
6dhe i tregoi se thesari i Jerusalemit ishte aq plot me para sa nuk mund të numëroheshin. Nuk përdoreshin për flitë, prandaj mund të kalonin nën pushtetin e mbretit.
7Apolloni u takua me mbretin dhe i foli për paratë për të cilat e kishin njoftuar. Mbreti caktoi Heliodorin, të ngarkuarin e tij me punë, e dërgoi dhe e urdhëroi të sillte paratë.
8Heliodori u nis menjëherë, kinse për të hetuar qytetet e Sirisë së Madhe e të Fenikës, por në të vërtetë do të ndiqte synimin e mbretit.
9Mbërriti në Jerusalem, u prit mirë nga kryeprifti i qytetit, i tregoi çfarë kishte marrë vesh, i tha pse kishte ardhur dhe e pyeti a ishin të vërteta ato që kishte dëgjuar.
10Kryeprifti i shpjegoi se çfarë kishin në gjendje u përkiste të vejave e jetimëve,
11se një sasi ishte e Hirkanit, birit të Tobisë, burrë me rang të lartë, dhe se shuma e plotë e parave ishte njëmbëdhjetë tonë argjend dhe pesë tonë e gjysmë ar, që do të thotë se Simoni i pafe kishte vepruar me dredhi
12dhe ishte krejt e pamundur t'u bëhej padrejtësi atyre që kishin besuar në shenjtërinë e atij vendi dhe në paprekshmërinë e asaj shenjtëroreje të nderuar nga mbarë bota.
Pështjellimi i qytetit13Por Heliodori, falë urdhrit të mbretit, kërkoi që ato t'i kalonin thesarit mbretëror.
14U caktua një ditë e shkoi për t'i mbikëqyrur këto të ardhura. Mbarë qytetin e pushtoi një trazirë jo e vogël.
15Priftërinjtë, veshur me petka priftërore, ranë përmbys para altarit dhe i thërrisnin qiellit, që kishte vendosur ligjin e kursimit, që t'u ruheshin atyre që i kishin kursyer.
16Kush shihte pamjen e kryepriftit, brengosej në mendje, se fytyra e ndërrimi i çehres i shfaqnin mundimin që kishte në shpirt.
17Ai burrë kishte frikë e i dridhej trupi, prandaj, atyre që e shikonin, u shpërfaqej sëmbimi që kishte në zemër.
18Njerëzit dolën nga shtëpitë me grumbuj për një lutje të përbashkët, sepse po përdhosej vendi.
19Gratë, me grathore lidhur nën gjoks, mbushën rrugët. Edhe vashat, që rrinin mbyllur, vrapuan disa te portat e disa te muret dhe të tjerat përgjonin nga dritaret.
20Të gjitha bënin lutje me duart shtrirë drejt qiellit.
21Turma e përzier, që kishte rënë përmbys, dhe stërmundimi i kryepriftit për çfarë pritej të ndodhte, ngjallnin mëshirë.
Zoti mbron tempullin22Ndërsa i bënin thirrje Zotit të gjithëpushtetshëm që t'ua mbante nën siguri kursimet kursimtarëve,
23Heliodori zbatonte çfarë kishte qenë vendosur.
24Por, kur mbërriti tek thesari me truprojat, zotëruesi i shpirtrave dhe i të gjithë pushtetit u shfaq aq madhërishëm, saqë të gjithë ata që e kishin shoqëruar me guxim, u tmerruan nga fuqia e Perëndisë, u mekën dhe u tulatën.
25Para tyre u shfaq një kalë i stolisur me pajime të hijshme, kaluar nga një kalorës i tmerrshëm. Ai mori hov dhe e goditi Heliodorin me këmbët e para. Kalorësi dukej i ngjeshur me armë të arta.
26Iu shfaqën edhe dy djelmosha me fuqi të dukshme, me bukuri lavdiplote, të veshur mrekullisht. Kishin zënë vend nga të dyja anët, e frushkullonin pa pushim dhe e goditnin shumë herë.
27Kur befas ra përdhe dhe e mbuloi errësira e madhe, e morën shoqëruesit dhe e vunë në një vig.
28Ai që kishte hyrë pak më parë në dhomën e përmendur të thesarit me një shpurë të madhe dhe me tërë truprojën, u mbart pa mundur t'i dilte zot vetes. Ata e dalluan qartë sundimin e Perëndisë.
Lutja e Onisë29Kur ai, nën veprimin hyjnor, mbeti pa zë, pa shpresë e shpëtim,
30judenjtë lavdëronin Zotin, që mbrojti mrekullisht vendin e vet, ndërsa tempulli, që pak më parë ishte plot frikë e trazirë, pas shfaqjes së Zotit të gjithëpushtetshëm, u mbush me gëzim dhe ngazëllim.
31Disa nga njerëzit e Heliodorit i kërkuan menjëherë Onisë t'i lutej të Tejlartit t'i falte jetën atij që dergjej në grahmën e fundit.
32Kryeprifti, nga dyshimi se mbreti mund të mendonte se judenjtë i kishin bërë ndonjë të keqe Heliodorit, kushtoi fli për shpëtimin e atij njeriu.
33Teksa kryeprifti kushtonte flinë e faljes, Heliodorit iu shfaqën të njëjtët djelmosha që e kishin rrahur, me të njëjtat veshje, u ndalën e i thanë: «Dija për nder kryepriftit Oni, falë tij ta fali jetën Zoti.
34Ti, që u frushkullove prej qiellit, kumtojua të gjithëve madhështinë e fuqisë së Perëndisë». Me të thënë këto, u zhdukën.
Pendimi i Heliodorit35Heliodori i kushtoi fli Zotit dhe i drejtoi lutje të shumta atij që i kishte shpëtuar jetën. Pastaj përshëndeti Oninë e u kthye me ushtrinë e tij te mbreti.
36U dëshmonte të gjithëve veprat e Perëndisë së madhërishëm që i kishte parë me sytë e vet.
37Kur mbreti e pyeti Heliodorin se cili do të ishte i përshtatshëm për t'u dërguar në Jerusalem, ai u përgjigj:
38«Po të kesh ndonjë kundërshtar apo përbetar, dërgoje atje, se do të kthehet i frushkulluar, në shpëtoftë gjallë, pasi në atë vend vërtetë ka një fuqi hyjnore.
39Ai që e ka banesën në qiell është rojtari e ndihmësi i atij vendi. Ai godet e shkatërron këdo që shkon atje për të bërë keq».
40Këto qenë ngjarjet lidhur me Heliodorin e me ruajtjen e thesarit.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.