Kënga e këngëve 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Titulli

1Kënga e këngëve, që është e Solomonit.

Ajo

2Ah, sikur të më puthë ai!

Sikur të më puthë me gojën e vet!

Se dashuria jote është më e mirë se vera,

3erëmirë është vaji yt i këndshëm,

e emri yt, si vaj i zbrazur,

prandaj edhe vashëzat të duan.

4Rrëmbemë e le të rendim!

Të më shtjerë mbreti në kthinat e veta,

që të ngazëllejmë e të gëzojmë falë teje,

të kremtojmë me dashurinë tënde

më shumë se me verë.

Me të drejtë me ty dashurohen.

Poema e parë

5Zeshkane jam, por e pëlqyeshme,

o bijat e Jerusalemit,

porsi tendat e Kedarit,

porsi pëlhurat e Solomonit.

6Mos shihni se jam e zeshkët,

se dielli mua më zuri.

U zemëruan me mua bijtë e nënës sime

e rojtare vreshtash mua më bënë,

por vreshtin tim s'e ruajta.

7Tregomë, o ti, që dua me gjithë shpirt,

nga e kullot ti grigjën tënde,

ku mrizon kur bie zhegu?

Pse të sillem si endacake unë

pas tufave të shokëve të tu?

Miqtë

8Nëse ti s'e di, o e bukura ndër gra,

ec gjurmëve të grigjës

e ndanë staneve të barinjve

edhat e tu kulloti.

Ai

9Si pelë në koçinë e faraonit,

ashtu më ngjan ti, o mikja ime.

10Joshëse mes vathësh janë faqet e tua

e gusha jote me rruaza mbështjellë.

11Do të bëjmë për ty stoli prej ari

me rruzuj të argjendtë.

Ajo

12Për sa kohë rri shtruar mbreti,

livanda ime amësim shpërndan.

13Tufëz mirre i shtrenjti im për mua,

mes gjinjve të mi pushuar.

14Me boçën e selvisë në vreshtat e En Gedit,

ngjan i shtrenjti im për mua.

Ai

15Ah, sa e bukur je, ti mikja ime, sa e bukur je!

Si pëllumba janë sytë e tu.

Ajo

16Ah, sa i bukur je, i shtrenjti im, sa i hijshëm je!

Lulet e harlisura janë shtrati ynë,

17cedrat janë trarët e shtëpive tona

e qiparisat kemi për binarë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help