Kënga e këngëve 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Dëshira për të dashurin

1Netëve, mbi shtrojën time, e kërkova

atë që me gjithë shpirt e dua.

E kërkova, por s'e gjeta.

2Do të ngrihem, pra,

qytetit ndër udhë e sheshe të endem,

atë që me shpirt e dua, ta kërkoj.

E kërkova, por s'e gjeta.

3Më hasën rojtarët, tek silleshin qytetit.

«A e patë kund atë që me shpirt e dua?».

4Fill sa i kalova, e gjeta unë

atë që me shpirt e dua.

E rroka e nuk do ta lëshoj

pa e shtënë në shtëpi të nënës sime,

në dhomën e asaj që më ngjizi.

5Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit,

pash sorkadhet a sutat e fushës:

mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë

deri kur t'ia ketë ënda.

Poema e tretëKori

6Ç'është ajo që shkretëtirës ngjitet

porsi shtëllungat e tymit

me mirrë e temjan erëzuar

e me çdo pudër që shitet?

7Ja, bartorja e Solomonit!

Gjashtëdhjetë trima e rrethojnë,

ndër më të fortët e Izraelit.

8Të gjithë shpatën vringëllojnë

e për luftë janë të ushtruar,

shpatën ngjeshur e mbart secili

kundër lemerisë së natës.

9Një vig bëri për vete Solomoni

me drurë prej Libani.

10Këmbët prej argjendi i bëri,

shpinëzën prej ari e ndenjësen të purpurt,

me dashuri brenda qëndisur

nga bijat e Jerusalemit.

11Dilni e shihni, o bijat e Sionit,

mbretin Solomon,

me kurorën që e ëma i vuri

atë ditë kur u martua,

atë ditë kur zemra iu gëzua.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help