2 Mbretërve 19 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Isaia i jep zemër Ezekisë

1Mbreti Ezeki, kur dëgjoi këto fjalë, shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe shkoi në tempullin e Zotit.

2Mandej dërgoi te profeti Isai Eliakimin, kujdestarin e pallatit mbretëror, Shebnaun, shkruesin dhe pleqtë e priftërinjve të veshur me grathore.

3Ata i thanë Isaisë: «Kështu thotë Ezekia: “Kjo ditë është ditë hidhërimi, ndëshkimi e turpi, sepse jemi bërë si foshnjat që janë gati për të dalë nga barku i një nëne, e cila nuk ka fuqi t'i lindë.

4Ndoshta Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi fjalët e kreut të zyrtarëve që dërgoi zotëria e tij, mbreti i Asirisë, për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe e ndëshkon për fjalët, që vetë Zoti, Perëndia yt, i dëgjoi. Thuaj një lutje për pjesën e mbetur të popullit”».

5Kur shërbëtorët e mbretit Ezeki mbërritën tek Isaia,

6ai u tha: «Thuajini zotërisë suaj se kështu thotë Zoti: “Mos ki frikë nga fjalët që dëgjove, me të cilat më fyen shërbëtorët e mbretit të Asirisë.

7Ja, unë do t'i dërgoj një shpirt e ai do të kthehet në vendin e tij sapo të marrë vesh një lajm. Atje do ta bëj të vdesë nga shpata”».

Tjetër kërcënim i Sankeribit

8Kreu i zyrtarëve të Asirisë u kthye ngaqë e kishte marrë vesh se mbreti i Asirisë kishte ikur nga Lakishi për të sulmuar Libnahun.

9Mbreti i Asirisë mori vesh se Tirhakahu, mbreti i Kushit, ishte nisur për ta sulmuar. Atëherë Sankeribi dërgoi sërish lajmëtarët e vet tek Ezekia e u tha:

10«Kështu do t'i thoni Ezekisë, mbretit të Judës: mos e lër Perëndinë tënd, tek i cili shpreson, të të mashtrojë duke të thënë se Jerusalemi nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.

11Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve dhe sesi i kanë shkatërruar. Vetëm ti do të shpëtosh?

12A i shpëtuan perënditë kombet e veta? Etërit e mi shkatërruan Gozanin, Haranin, Recefin dhe edenasit që jetonin në Telasar.

13Ku janë mbreti i Hamatit, mbreti i Arpadit, mbreti i Lairit, Sefarvaimit, Henës dhe Avahut?».

Lutja e Ezekisë

14Ezekia mori letrën nga dora e lajmëtarëve dhe pasi e lexoi, shkoi në tempullin e Zotit dhe e hapi rrotullën para Zotit.

15Mandej iu lut Zotit e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, ti që ulesh mbi kerubë, ti je i vetmi Perëndi i të gjitha mbretërive të dheut, ti e krijove qiellin dhe tokën.

16Ule veshin, o Zot, e dëgjo! Hapi sytë, o Zot, e shiko! Dëgjoji fjalët që ka thënë Sankeribi për të fyer Perëndinë e gjallë.

17Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkretuar kombet dhe vendet e tyre.

18Perënditë e tyre i kanë djegur në zjarr, sepse nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, idhuj druri e guri, që ata i shkatërruan.

19E tani, o Zot, Perëndia ynë, shpëtona nga duart e mbretit të Asirisë, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e dheut, se ti, o Zot, je i vetmi Perëndi».

Përgjigja e Zotit përmes Isaisë

20Atëherë Isaia, biri i Amosit, i dërgoi lajm Ezekisë e i tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: e dëgjova lutjen që më bëre për Sankeribin, mbretin e Asirisë.

21Ja fjalët që unë, Zoti, shqiptova kundër tij:

Të përbuz, të përqesh

virgjëresha, bija e Sionit!

Prapa teje kokën tund

bija e Jerusalemit.

22Me kë je tallur, kë ke fyer?

Kundër kujt zërin e ke ngritur

dhe e ke parë tërë mburrje?

Kundër të shenjtit të Izraelit!

23Përmes lajmëtarëve të tu

ti ke fyer Zotin

e me vete ke thënë:

“Me karrocat e mia të shumta

majë maleve u ngjita,

lartësive më të thella të Libanit.

Më të lartët cedra ia preva

dhe pyjet më të bukur.

Mbërrita në skutat e tij më të larta,

në pyjet e tij më të dendura.

24Gërmova puse e ujë të huaj piva,

me shputat e këmbëve të mia

mbarë lumenjtë e Egjiptit thava”.

25Por, a nuk ke dëgjuar vallë?

Prej kohësh të lashta këtë e caktova,

nga ditët e hershme e përftova,

e tash po e zbatoj.

Ty të caktova të sjellësh rrënim

e qytetet e fortifikuara

në pirgje gërmadhash t'i kthesh.

26Banorët e tyre u tmerruan,

duart iu mpinë e u drodhën.

U bënë si bari i fushës

e si bari i lëndinave,

si bari i pullazeve

që thahet pa mbirë mirë.

27Unë e di mirë kur rri,

kur hyn e kur del.

Di edhe tërbimin

që kundër meje ke.

28Je ndezur kundër meje

e krenaria jote në vesh më erdhi,

prandaj në hundë unazën do të ta vë

e në gojë frerin e hekurt,

që pas të të kthej

udhës nga ke ardhur.

29Ndërsa për ty, Ezeki, kjo do të jetë shenja: këtë vit do të hani çka është rritur vetë, vitin tjetër çka do të ketë mbirë vetë, ndërsa vitin e tretë do të mbillni e do të korrni, do të mbillni vreshta e do të hani frutat e tyre.

30Ata që do të mbesin nga shtëpia e Judës, do t'i lëshojnë rrënjët thellë në tokë dhe degët do t'u mbushen plot fryte.

31Prej Jerusalemit do të dalë populli i mbetur, prej malit të Sionit do të ngrihen ata që kanë shpëtuar. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit.

32Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: ai nuk do të hyjë në këtë qytet e nuk do ta sulmojë me shigjeta. Nuk do t'i mësyjë nën mbrojtjen e shqyteve e as ledh nuk do të gërmojë rreth tij.

33Do të kthehet rrugës nga erdhi e në këtë qytet nuk do të hyjë, kumton Zoti!

34Këtë qytet do ta mbroj vetë, për vete dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim».

Humbja dhe vdekja e Sankeribit

35Atë natë engjëlli i Zotit sulmoi fushimin e asirianëve dhe vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë luftëtarë. Kur u ngritën herët në mëngjes, panë gjithë ato kufoma të vdekurish.

36Atëherë Sankeribi, mbreti i Asirisë, ngriti fushimin, u kthye pas e u vendos në Ninivë.

37E teksa po adhuronte në tempullin e Nisrokut, perëndisë së tij, Adrameleku dhe Sareceri, bijtë e tij, e vranë Sankeribin me shpatë dhe ia mbathën për në Ararat. Në vend të tij mbretëroi Esarhadoni, i biri.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help