Isaia 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rënia e Babilonisë

1Profeci kundër shkretëtirës së detit:

ashtu si furtunat fshikullojnë Negevin,

ashtu do të vijë nga shkretëtira,

nga ai vend i tmerrshëm.

2Një vegim i tmerrshëm m'u dëftua:

një tradhtar po tradhton,

një shkatërrimtar po shkatërron.

Vërsulu, o Elam! Rrethoje, o Madai!

Po i jap fund çdo rënkimi në të!

3Prandaj po më dridhen ijët,

më kanë zënë dhimbjet si të lindjes,

dridhem i tëri nga ç'dëgjoj,

tmerrohen nga ç'më shohin sytë.

4Më lëshoi zemra,

më pushtuan drithërimat,

muzgu, që fort e dëshiroja,

më është bërë tmerr.

5Bëhet gati tryeza, shtrohet qilimi,

hahet e pihet.

Ngrihuni, o prijës,

lyejeni shqytin!

6Se kështu më tha Zoti:

«Shko e vër një vrojtues,

që të lajmërojë çka sheh.

7Po të shohë qerre lufte,

kalorës dyshe-dyshe,

kalorës hipur mbi gomarë,

kalorës hipur mbi deve,

le t'i hapë sytë mirë,

le të vrojtojë me shumë kujdes».

8E ja, vrojtuesi bërtiti:

«O Zot, tërë ditën kam vrojtuar pa lëvizur,

tërë natën kam qëndruar në vendrojë.

9Por ja, po vijnë qerre lufte,

kalorës dyshe-dyshe.

Ra, ra Babilonia», do të thotë,

«Gjithë idhujt e hyjnive të saj

janë bërë copë e çikë përtokë».

10O shirja ime! O biri i lëmit tim!

Çka dëgjova prej Zotit të ushtrive,

Perëndisë së Izraelit,

atë ju dëfteva.

Kundër Dumahut

11Profeci për Dumahun:

nga Seiri po më thërret dikush:

«Roje, edhe sa natë ka mbetur?

Roje, edhe sa natë ka mbetur?».

12«Po vjen mëngjesi», thotë roja,

«Por po vjen edhe nata.

Nëse doni të pyesni, pyesni,

por kthehuni edhe një herë!».

Kundër arabëve

13Profeci për Arabinë:

nëpër kaçubat e Arabisë do ta kaloni natën,

o varganet e dedanëve!

14Dilini përpara të eturit,

sillini ujë, o banorë të tokës së Temait!

Dilini përpara me bukë të arratisurit!

15Se kanë marrë arratinë prej shpatës,

prej shpatës së zhveshur,

prej harkut të ndehur,

prej furisë së betejës.

16Se kështu më tha Zoti: «Pas një viti, vit i një punëtori me mëditje, tërë madhështia e Kedarit do të marrë fund.

17I vogël do të jetë numri i harkëtarëve të mbetur, i luftëtarëve të Kedarit, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help