2 Samuelit 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Përdhunimi i Tamarës

1Absalomi, biri i Davidit, kishte një motër të bukur që quhej Tamara. Pas njëfarë kohe, Amnoni, biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën.

2E mundonin aq shumë ndjenjat për Tamarën, saqë u sëmur. Tamara ishte e virgjër, prandaj Amnonit i dukej e pamundur t'i bënte gjë.

3Amnoni kishte një shok që quhej Jonadab. Ai ishte biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Jonadabi ishte shumë dinak.

4Ai i tha Amnonit: «Pse po dobësohesh dita-ditës, o biri i mbretit? Përse nuk më tregon?». Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e Absalomit, vëllait tim».

5Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe hiqu si i sëmurë. Kur të vijë yt atë për të të parë, thuaji: “Le të vijë ime motër, Tamara, të më japë të ha. Ta përgatitë ushqimin para syve të mi, që ta shoh e të ha prej dorës së saj”».

6Amnoni zuri shtratin dhe u hoq si i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha: «Le të vijë ime motër, Tamara, të lutem, e të bëjë dy kuleç para syve të mi, që t'i ha nga dora e saj».

7Davidi i çoi fjalë Tamarës në shtëpi e i tha: «Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji të hajë».

8Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të vet, Amnonit, që ishte shtrirë në shtrat. Ajo mori miell, ngjeshi brumin, bëri kuleçtë para syve të tij dhe i poqi.

9Pastaj mori tiganin dhe i zbrazi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk donte të hante. Ai urdhëroi të dilnin jashtë të gjithë dhe ata dolën.

10Amnoni i tha Tamarës: «Ma sill ushqimin në dhomë, që të ha nga dora jote». Tamara i mori kuleçtë që kishte gatuar dhe ia solli në dhomë Amnonit, të vëllait.

11Kur i solli ushqimin, Amnoni e kapi e i tha: «Eja, shtrihu me mua, motra ime».

12Tamara iu përgjigj: «Mos, o vëlla, mos më çndero. Kjo nuk bëhet në Izrael. Mos e bëj këtë poshtërsi.

13Ku ta çoj unë turpin? Por edhe ti do të jesh njeri i poshtër në Izrael. Fol me mbretin dhe ai ka për të më dhënë te ti».

14Por ai s'deshi ta dëgjonte. E kapi dhe ra në shtrat me të, sepse ishte më i fortë.

15Atëherë e pushtoi një urrejtje e madhe për të dhe urrejtja që ndjeu ishte shumë më e madhe se dashuria që kishte ndier më parë. Prandaj Amnoni i tha: «Ngrihu e ik».

16Ajo i tha: «Mos e bëj këtë të keqe më të madhe se ajo që bëre me mua e mos më dëbo». Por ai s'deshi ta dëgjonte.

17Thirri një nga shërbëtorët, që i shërbente, e i tha: «Nxirre jashtë këtë grua dhe mbyll derën pas saj».

18Tamara kishte veshur një rrobë të gjatë me mëngë, sepse kështu visheshin bijat virgjëresha të mbretit. Shërbëtori e nxori jashtë Tamarën dhe mbylli derën pas saj.

19Atëherë Tamara mori hi dhe e hodhi mbi kokë, shqeu mëngët, vuri duart në kokë dhe iku duke bërtitur.

20Absalomi, i vëllai, e pyeti: «A mos ra në shtrat me ty Amnoni, yt vëlla? Tani për tani, hesht, o motra ime, dhe mos të të shqetësohet zemra për këtë punë». Tamara ndenji e pikëlluar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj.

21Kur i mori vesh këto ngjarje, mbreti David u zemërua shumë.

22Absalomi nuk i tha asnjë fjalë Amnonit, as për mirë, as për keq, por e urrente, sepse i kishte çnderuar të motrën, Tamarën.

Absalomi vret Amnonin

23Dy vjet më vonë, kur i kishte qethësit e deleve në Baal Hacor, pranë Efraimit, Absalomi ftoi të gjithë bijtë e mbretit.

24Ai shkoi te mbreti e i tha: «Qethësit e deleve kanë ardhur te shërbëtori yt. I lutem edhe mbretit të urdhërojë në shtëpinë e shërbëtorit të tij, bashkë me shërbëtorët e vet».

25Mbreti iu përgjigj Absalomit: «Jo, biri im, mos na detyro të gjithëve të vijmë e të të bëhemi barrë». Absalomi nguli këmbë, por mbreti nuk deshi të shkonte, megjithatë e bekoi.

26Absalomi i tha: «Nëse jo, atëherë le të vijë me ne Amnoni, vëllai im». Mbreti e pyeti: «Përse të vijë me ty?».

27Absalomi iu përgjërua, prandaj mbreti i la të shkonin Amnonin dhe të gjithë bijtë e mbretit.

28Atëherë Absalomi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij: «Kur ta shihni Amnonin të dehur me verë e unë t'ju jap urdhrin për ta goditur, vriteni e mos kini frikë, sepse urdhrin jua kam dhënë unë. Jini të fortë e bëhuni trima».

29Shërbëtorët e Absalomit vepruan me Amnonin siç i kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u hipën mushkave dhe ikën.

30Teksa ishin ende udhës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre».

31Atëherë mbreti u ngrit, shqeu rrobat dhe u shtri përtokë. Edhe të gjithë shërbëtorët që e rrethonin i shqyen rrobat.

32Jonadabi, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit, tha: «Të mos mendojë imzot se janë vrarë të gjithë bijtë e rinj të mbretit. Është vrarë vetëm Amnoni. Absalomi e kishte vendosur ta vriste që ditën kur Amnoni çnderoi Tamarën, motrën e tij.

33Prandaj, imzot të mos e marrë përnjëmend lajmin se janë vrarë të gjithë bijtë e mbretit, sepse ka vdekur vetëm Amnoni».

34Absalomi mori arratinë. Ndërkohë, djaloshi që bënte roje ngriti sytë dhe pa se po vinte një turmë e madhe njerëzish nga rruga mbrapa tij, anës malit.

35Atëherë Jonadabi i tha mbretit: «Ja, po vijnë bijtë e mbretit. Ka ndodhur siç tha shërbëtori yt».

36Sa mbaroi fjalën, ia behën bijtë e mbretit. Ata vajtonin me të madhe. Edhe mbreti me shërbëtorët e tij vunë kujën dhe vajtuan.

37Absalomi iku dhe shkoi te Talmai, biri i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi e vajtonte të birin çdo ditë.

38Kështu, Absalomi iku në Geshur dhe qëndroi atje tre vjet.

39Kur iu lehtësua dhimbja për vdekjen e Amnonit, mbreti David deshi të shkonte e ta takonte Absalomin.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help