1 Gjonit 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Krishti, mbrojtësi ynë

1Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin.

2Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës.

3Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë.

4Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.

5Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë.

6Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti.

Urdhërimi i ri

7Fort të dashur, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat.

8Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë.

9Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë.

10Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë.

11Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë.

12Po ju shkruaj, o bij,

se mëkatet tuaja u falën

me anë të emrit të tij.

13Po ju shkruaj, o etër,

se e keni njohur atë

që është që nga fillimi.

Po ju shkruaj, o të rinj,

se e keni mundur të ligun.

14Ju shkrova, o bij,

se e keni njohur Atin.

Ju shkrova, o etër,

se e keni njohur atë

që është që nga fillimi.

Ju shkrova, o të rinj,

se jeni të fortë;

fjala e Perëndisë banon në ju

dhe e keni mundur të ligun.

15Mos e doni botën dhe as gjërat e saj. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.

16Gjithçka që është në botë, epshet trupore, lakmia e syve dhe mburrja për gjërat e kësaj jete, nuk janë nga Ati, por nga bota.

17Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim.

Antikrishti

18Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit.

19Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët.

20Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën.

21Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta.

22Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.

23Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin.

24Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.

25Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar.

26Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë.

27Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.

Bij të Perëndisë

28Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij.

29Përderisa e dini që Krishti është i drejtë, atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help