1Kryeprifti Simon ra në gjunjë para tempullit, ngriti duart sipas zakonit e tha këtë lutje:
2«O Zot, o Zot, mbreti i qiejve e sunduesi i mbarë krijesës, i Shenjti ndër të shenjtët, mbreti i vetëm, i gjithëpushtetshmi, dëgjona ne që po shtypemi nga një njeri i pamend e përdhosës, i fryrë me kryeneçësi e forcë.
3Ti i krijove të gjitha e ti i qeveris të gjitha; ti je sundimtari i drejtë e ti i gjykon ata që veprojnë me paudhësi e kryeneçësi.
4Në të shkuarën ti i zhbive ata që bënë padrejtësi, përfshirë edhe gjigandët, të bindur për fuqinë e guximin e tyre, dhe dërgove mbi ta përmbytjen e madhe.
5Sodomitët krenarë për veprat e tyre, të njohur për ligësitë e tyre, ti i dogje me zjarr e squfur dhe i bëre shembull për pasardhësit.
6Faraonin, që kishte guxuar të robëronte popullin tënd të shenjtë, Izraelin, e mundove me ndëshkime të shumëllojshme për t'i bërë të njohur fuqinë tënde dhe kështu tregove pushtetin tënd të madh.
7Në fund të detit e plandose atë që popullin e ndoqi me ushtri e karroca lufte, ndërsa ata që kishin besim te ti, sundimtari i mbarë krijesës, i kalove nëpër të shëndoshë e mirë.
8Ata i panë veprat e duarve të tua dhe të përlëvduan ty, të gjithëpushtetshmin.
9Ti, o mbret, që krijove tokën e pafund e të pamatshme, e zgjodhe këtë qytet dhe e shenjtërove këtë vend me emrin tënd, ndonëse nuk ke nevojë për asgjë. I dhe shumë lavdi me praninë tënde madhështore dhe e caktove për lavdinë e emrit tënd të madh e të nderuar.
10Nga dashuria për shtëpinë e Izraelit na porosite të vijmë për t'u lutur në këtë vend, sa herë që largohemi nga ti e na bie fatkeqësia, e ti do të na e dëgjosh lutjen.
11Ti je besnik e i vërtetë.
12Shumë herë i ndihmove etërit tanë fatkeqë, kur ishin të poshtëruar, dhe i shpëtove nga të këqijat e mëdha.
13E tani, o mbret i shenjtë, po shtypemi për shkak të mëkateve tona të shumta e të mëdha, u jemi nënshtruar armiqve tanë e dergjemi të pafuqishëm.
14E teksa jemi mposhtur, ky kryeneç e përdhosës synon njollosjen mbi këtë tokë të këtij vendi të shenjtë, që i është kushtuar emrit tënd të shenjtë.
15Se banesa jote, qielli i qiejve, është e paarrishtme prej njerëzve.
16Por ti deshe që lavdia jote të banonte mes popullit tënd, Izraelit, dhe e shenjtërove këtë vend.
17Mos na ndëshko për fëlligështinë e këtyre njerëzve e mos na dëno për këtë përdhosje, që të mos mburren të paudhët në zemërimin e tyre e të mos ngazëllejnë me gjuhën e tyre krenare e të thonë:
18“E shkelëm me këmbë shtëpinë e shenjtë, ashtu siç shkelen tempujt e idhujve”.
19Fshiji mëkatet tona, fali gabimet tona dhe shfaqe mëshirën tënde në këto çaste.
20Ardhshin shpejt dhembshuritë e tua mbi ne, mbushi gojët e të poshtëruarve e të dërrmuarve me përlëvdimin tënd e jepu paqe shpirtrave tanë».
Ndëshkimi i Perëndisë21Atëherë, Perëndia që shikon gjithçka, i pari i gjithçkaje, i shenjti i të shenjtëve, e dëgjoi lutjen e drejtë dhe e ndëshkoi përdhosësin e kryeneçin.
22E bëri Filopatorin të lëkundet tutje-tëhu si kallamin në erë, derisa u plandos përtokë pa ndenja. Iu mpinë gjymtyrët e nuk mund të bëzante nga goditja e ndëshkimit të drejtë.
23Kur miqtë e truprojat e tij panë ndëshkimin e shpejtë që i ra, nga frika se mos vdiste, e tërhoqën shpejt jashtë. I kishte kapur një frikë e madhe.
24Më vonë ai erdhi në vete, por, me gjithë ndëshkimin që pësoi, nuk u pendua dhe u largua duke hedhur kërcënime të tmerrshme.
Filopatori kundër judenjve25Mandej mbreti u kthye në Egjipt e i shtoi ligësitë, i shtyrë nga miqtë e tij të sipërpërmendur, me të cilët pinte, dhe që nuk kishin asnjë ndjenjë drejtësie.
26Nuk u mjaftua me fëlligështitë e panumërta, por mori edhe guximin të përhapte shpifje në mbarë vendin kundër judenjve. Shumë nga miqtë e tij, të nxitur nga synimet e mbretit, filluan të vepronin sipas dëshirës së tij.
27Vendosi të dilte hapur kundër kombit tonë dhe në një nga shtyllat e oborrit vuri këtë shkrim:
28«Asnjërit prej atyre që nuk kushtojnë fli, nuk i lejohet të hyjë në tempujt e tyre. Të gjithë judenjtë të shkruhen në amza e të bëhen shërbëtorë. Ata që kundërshtojnë, të merren me dhunë e të vriten.
29Të shkruarve në amza, t'u vihet mbi trup me hekur të nxehtë shenja e dredhkës, emblema e Dionisit, e t'u zbritet rangu shoqëror».
30Megjithatë, për të mos u bërë i urryer për të gjithë, shtoi: «Nëse disa prej tyre dëshirojnë të futen në misteret e idhujve, do të kenë të njëjtat të drejta qytetare me aleksandrinët».
31Disa prej judenjve nuk shkuan më në qytetin e shenjtë. Ata nuk u menduan gjatë, por u nënshtruan lehtësisht, sepse mendonin të përfitonin duke iu afruar më shumë mbretit.
32Por shumica qëndruan të fortë e nuk u larguan nga besimi. I dhanë paratë në këmbim të jetës dhe u përpoqën të mos shkruheshin në amza.
33Bënë qëndresë me shpresën se do të merrnin ndihmë dhe i përçmonin ata që i kishin braktisur. I trajtonin si armiq të popullit, nuk shoqëroheshin më me ta e as i ndihmonin.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.