Jeremia 40 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jeremia mbetet në Judë

1Fjala që iu drejtua Jeremisë prej Zotit, pasi Nebuzaradani, kryerojtari, e la të largohej nga Ramahu, kur e mori të lidhur në vargonj bashkë me të gjithë të shpërngulurit e Jerusalemit e të Judës që po shpërnguleshin në Babiloni.

2Kryerojtari e mori Jereminë e i tha: «Zoti, Perëndia yt, e kishte lajmëruar këtë zezonë për këtë vend.

3Zoti e solli dhe kreu çfarë kishte lajmëruar, se ju mëkatuat kundër Zotit dhe nuk e dëgjuat zërin e tij, prandaj ju ndodhi kjo gjë.

4E tani, ja, sot po të liroj prej këtyre vargonjve që ke në dorë. Nëse të duket gjë e mirë të vish me mua në Babiloni, eja e unë do të kujdesem për ty. Por nëse të duket gjë e keqe të vish me mua në Babiloni, ndalu. Shiko, tërë vendi është para teje. Kudo të të duket mirë dhe e drejtë të shkosh, atje shko».

5E meqë nuk po kthehej ende, i tha: «Kthehu te Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, të cilin mbreti i Babilonisë e caktoi mbi qytetet e Judës, dhe rri atje me të mes popullit, ose shko kudo të duket e drejtë të shkosh». Pastaj kryerojtari i dha ushqime e një dhuratë dhe e la të shkonte.

6Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, biri i Ahikamit, në Micpah, e jetoi me të mes popullit që kishte mbetur në vend.

7Të gjithë prijësit e ushtrive, që gjendeshin arave bashkë me ushtarët, dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun, birin e Ahikamit, përgjegjës të vendit dhe i kishte besuar burrat, gratë, të miturit e skamnorët e vendit, që nuk ishin shpërngulur në Babiloni.

8Atëherë shkuan te Gedaliahu, në Micpah, Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, bijtë e Efahut, netofatitit, Jezanjahu, biri i Makatitit, ata vetë dhe njerëzit e tyre.

9Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, iu betua atyre dhe ushtarëve të tyre e tha: «Mos kini frikë prej shërbëtorëve të kaldenjve. Qëndroni në vend, shërbejini mbretit të Babilonisë e do t'ju shkojë mbarë.

10Ndërsa unë, ja, do të banoj në Micpah, për t'ju përfaqësuar para kaldenjve që do të vijnë te ne. Megjithatë, ju mblidheni verën, frytet e stinës dhe vajin. Vërini në enët tuaja e banoni në qytetet që keni pushtuar».

11Edhe të gjithë judenjtë, që gjendeshin në Moab, mes amonitëve, në Edom e në të gjitha vendet e tjera, dëgjuan se mbreti i Babilonisë e kishte lënë një pjesë të popullit të Judës dhe kishte caktuar përgjegjës të tyre Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit.

12Të gjithë judenjtë u kthyen prej të gjitha vendeve ku ishin shpërndarë dhe erdhën në dheun e Judës, në Micpah, te Gedaliahu. Ata mblidhnin verën dhe frytet e stinës me begati të madhe.

13Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit e ushtrive të veta, që gjendeshin nëpër ara, erdhën te Gedaliahu në Micpah

14e i thanë: «A e di se Baalisi, mbreti i amonitëve, ka dërguar Ishmaelin, birin e Netanjahut, për të të vrarë?». Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, nuk u besoi.

15Atëherë Johanani, biri i Kareahut, i tha fshehurazi Gedaliahut, në Micpah: «Më lër të shkoj e ta vras Ishmaelin, birin e Netanjahut, e nuk do ta marrë vesh askush. Pse duhet të të vrasë ai e të shpërndahen të gjithë judenjtë e mbledhur rreth teje e të marrë fund pjesa tjetër e popullit të Judës?».

16Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, iu përgjigj Johananit, të birit të Kareahut: «Mos e bëj këtë gjë, sepse po thua gjëra të pavërteta për Ishmaelin».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help