1Ditën e tetë Moisiu thirri Aronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit.
2Atëherë i tha Aronit: «Merr një viç për fli mëkati dhe një dash për fli shkrumbimi dhe paraqiti para Zotit. Të dy të jenë të patëmetë.
3Izraelitëve thuaju kështu: merrni një cjap për fli mëkati, një viç e një qengj motak të patëmetë për fli shkrumbimi,
4një dem e një dash për fli paqtimi, që t'i kushtoni para Zotit. Merrni edhe fli drithi përzier me vaj, sepse sot do t'ju dëftohet Zoti».
5Ata morën çka u kishte urdhëruar Moisiu e i sollën para tendës së takimit. U afrua edhe gjithë bashkësia dhe qëndronte para Zotit.
6Moisiu u tha: «Ky është urdhri që dha Zoti. Zbatojeni dhe do t'ju dëftohet lavdia e tij».
7Aronit i tha: «Afrohu tek altari, kushto flinë tënde të mëkatit dhe flinë tënde të shkrumbimit dhe bëj shlyerjen për vete e për popullin. Kushto flinë e popullit dhe bëj për ta shlyerjen, siç ka urdhëruar Zoti».
8Aroni u afrua tek altari dhe theri viçin për flinë e vet të mëkatit.
9Pastaj bijtë e vet i sollën Aronit gjakun. Ai ngjeu në të gishtin dhe leu me gjak brirët e altarit, ndërsa gjakun e derdhi në themelet e altarit.
10Dhjamin, veshkat dhe bulën e mëlçisë së flisë për mëkatin i dogji mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
11Mishin dhe lëkurën i dogji në zjarr jashtë fushimit.
12Mandej theri flinë e shkrumbimit. Bijtë e vet i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit.
13Pastaj i sollën flinë e shkrumbimit të ndarë në copa bashkë me kokën dhe ai i shkrumboi mbi altar.
14Lau edhe zorrët bashkë me këmbët e i dogji në altar mbi flinë e shkrumbimit.
15Mandej paraqiti flinë e popullit. Mori cjapin e flisë së mëkatit të popullit, e theri dhe e kushtoi si fli mëkati, siç kishte bërë edhe me flinë e parë.
16Paraqiti edhe flinë e shkrumbimit dhe e kushtoi sipas urdhëresës.
17Pastaj paraqiti flinë e drithit. Mbushi grushtin me të dhe e dogji në altar, përveç flisë mëngjesore të shkrumbimit.
18Pastaj theri demin e dashin si fli paqtimi për popullin. Të bijtë i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit.
19Dhjamin e demit dhe të dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e mëlçisë
20i vendosi mbi gjokset e flive dhe i dogji në altar.
21Gjoksin dhe kofshën e djathtë Aroni i ngriti para Zotit si fli lartësimi, siç kishte urdhëruar Moisiu.
22Atëherë Aroni ngriti duart mbi popullin dhe e bekoi. Pasi kushtoi flinë për mëkatin, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit, Aroni zbriti nga altari.
23Mandej, Moisiu e Aroni hynë në tendën e takimit, dolën dhe bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit.
24Prej pranisë së Zotit doli një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin mbi altar. Mbarë populli e pa, brohoriti dhe u përkul me fytyrë përdhe.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.