Psalmet 37 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Psalm i Davidit.

Alef

Mos u zemëro nga keqbërësit,

ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.

2Se ata do të thahen shpejt si bari,

do të vyshken si barishtja e njomë.

Bet

3Beso në Zotin e bëj të mirën,

bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.

4Gjeje kënaqësinë te Zoti

e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Gimel

5Lëre udhën tënde në duart e Zotit,

ki besim tek ai e ai do të veprojë.

6Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita,

të drejtën tënde porsi mesdita.

Dalet

7Hesht para Zotit e prite me durim,

mos u zemëro me atë që i shkon mbarë,

me njeriun që thur dredhi.

He

8Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit,

mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.

9Se keqbërësit do të shfarosen,

por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën.

Vau

10Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më.

Do të shohësh për nga vendi i tij

e nuk do të jetë më atje.

11Skamnorët do të trashëgojnë tokën

e do të kënaqen me paqe të begatë.

Zain

12I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit

e kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13Por Zoti do të qeshë me të,

se e sheh që po i vjen dita.

Het

14Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin,

për të plandosur të mjerin e nevojtarin,

për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.

15Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet,

harqet e tyre do të thyhen.

Tet

16Më mirë ajo pak që ka i drejti,

sesa pasuria e shumë të paudhëve.

17Krahët e të paudhëve do të thyhen,

ndërsa të drejtët i përkrah Zoti.

Jod

18 Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve,

trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.

19Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie,

të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.

Kaf

20Por të paudhët do të marrin fund,

armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës,

si tymi do të fashiten.

Lamed

21I paudhi merr hua e nuk e kthen,

ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.

22Të bekuarit do të trashëgojnë tokën,

të mallkuarit do të shfarosen.

Mem

23Se Zoti i forcon hapat e njeriut,

kur i pëlqen udha e tij.

24Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet,

se Zoti e mban për dore.

Nun

25Kam qenë i ri e tashmë jam plakur

dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur,

as pasardhësit e tij të lypin për bukë.

26Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua,

pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.

Samek

27Kthehu prej së keqes, bëj të mirën

dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

Ain

28Se Zoti e do drejtësinë

dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë,

ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.

29Të drejtët do të trashëgojnë tokën

e në të do të banojnë përherë.

Pe

30Goja e të drejtit ligjëron urti,

gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.

31Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër,

hapat e tij nuk do të lëkunden.

Cade

32I paudhi e përgjon të drejtin

dhe kërkon ta vrasë.

33Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij

dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë.

Kof

34Prite Zotin e mbaj udhën e tij.

Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën,

dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.

Resh

35E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm,

tek harlisej si pema tërë gjethe.

36Por ja që u shua e më nuk është,

e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot.

Sin

37Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin,

njeriut të paqes i përket e ardhmja.

38Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen,

të paudhët nuk do të kenë të ardhme.

Tau

39Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit,

ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.

40 Zoti i ndihmon e i çliron,

ai i çliron nga të paudhët e i shpëton,

se tek ai gjetën strehë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help