Psalmet 72 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1I Solomonit.

O Perëndi, dhuroja mbretit gjykimet e tua

e drejtësinë tënde birit të mbretit,

2që popullin tënd ta gjykojë me drejtësi

e skamnorëve të tu t'u japë të drejtën.

3Malet le t'i sjellin paqe popullit

e kodrat drejtësi.

4Mbreti le t'u japë drejtësi skamnorëve të popullit,

bijtë e nevojtarëve le t'i shpëtojë

e shtypësin ta dërrmojë.

5Të paçin frikë brez pas brezi,

sa të ketë diell e sa të ketë hënë.

6Le të zbresë si shiu mbi luadh të kositur,

si rrebeshi që ujit tokën.

7Në ditët e tij le të lulëzojë i drejti

e paqe të madhe le të ketë,

derisa të mos jetë më hëna.

8Le të sundojë nga deti në det,

nga lumi deri në skajet e tokës.

9Përpara tij le të përkulen banorët e shkretëtirës

dhe armiqtë e tij le të lëpijnë pluhurin.

10Mbretërit e Tarshishit e ishujt le t'i sjellin tagrin,

mbretërit e Shebës e të Sebës, dhurata.

11Para tij le të përkulen gjithë mbretërit,

gjithë kombet atij t'i shërbejnë.

12Se ai do ta shpëtojë nevojtarin që thërret

e skamnorin që s'e ndihmon askush.

13Do t'i dhimbset i dobëti e nevojtari,

nevojtarëve do t'ua shpëtojë jetën.

14Do t'i shpëtojë nga shtypja e dhuna,

gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.

15Rroftë mbreti e prej arit të Shebës marrtë!

U lutshin për të pa pushim,

gjithë ditën e bekofshin!

16Toka dhëntë drithë me shumicë,

majave të maleve u valëvitshin kallinjtë,

prodhimi i tyre qoftë i begatë si Libani,

prej qytetit lulëzofshin si bari i fushës.

17Emri i tij mbettë përjetë!

Emri i tij qëndroftë sa të jetë dielli!

Në të u bekofshin njerëzit,

gjithë kombet e quajtshin të lum.

18Bekuar qoftë Zoti Perëndi, Perëndia i Izraelit,

i vetmi që bën mrekulli!

19Bekuar qoftë përjetë edhe emri i tij i lavdishëm

e me lavdinë e tij u mbushtë tërë toka!

Amen! Amen!

20Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Jeseut.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help