1Shumë vetë mëkatojnë për hir të fitimit
dhe kush kërkon të pasurohet mbyll një sy.
2Siç futet kunji mes gurëve të ngjeshur,
futet mëkati mes shitjes e blerjes.
3Nëse dikush nuk e druan Zotin sa të mundet,
i merr fund shtëpia.
4Po të tundësh shportën, dalin fundërrinat,
edhe njeriut i dalin mbeturinat kur flet.
5Enën e poçarit e sprovon zjarri,
edhe njeriu sprovohet kur flet.
6Mirëmbajtjen e pemës e tregojnë frytet,
mendimet e zemrës së njeriut, fjala.
7Mos lëvdo askënd para se të flasë,
se kështu sprovohen njerëzit.
8Po ta ndjekësh të drejtën, e arrin,
dhe e vesh si petk lavdie.
9Zogjtë bujnë te të ngjashmit e vet,
edhe e vërteta kthehet tek ata që e zbatojnë.
10Luani pret prenë,
edhe ata që bëjnë padrejtësi.
11Të folurit e besimtarit është përherë urti,
por i çmenduri ndërron si hëna.
12Shkurtoje kohën mes të marrëve,
por rri ngeshëm mes të mençurve.
13E folura e të marrëve është fyese,
e qeshura e tyre zdërhallje mëkatare.
14Thëniet e bemadhit ngrenë qimet përpjetë,
rragatjet e tij shtupë për veshët.
15Rragatjet e mujsharëve përfundojnë në gjakderdhje,
sharjet e tyre të rënda për t'u dëgjuar.
16Kush zbulon të fshehtat humbet mirëbesimin
e nuk gjen mik për shpirt.
17Duaje mikun dhe rriji besnik,
por nëse ia nxjerr të fshehtat, mos e ndiq,
18se, siç humbet dikush njeriun që vdes,
ashtu humb edhe miqësinë me të afërtin.
19Siç lëshon një zog nga dora,
lëshon të afërtin e s'e zë më.
20Mos e ndiq, se është larg,
ka ikur si sorkadhja nga kurthi.
21Plaga mund të lidhet
e sharja ndreqet,
por nxjerrja e të fshehtave është e pashpresë.
22Kush shkel syrin bën gati dëmin,
kush e njeh, i rri larg.
23Para teje është gojëmbël
dhe fjala jote e mahnit,
por më vonë dredhon fjalën
e të zë me fjalët e tua.
24Shumë kam urryer, por jo si atë,
atë e urren edhe Zoti.
25Kush e hedh gurin lart, e hedh mbi kokë të vet,
lëndimi tinëzar hap plagë.
26Kush hap gropën, bie brenda,
kush ngre kurth, zihet vetë.
27Kush bën keq, i kthehet kundër,
pa e marrë vesh nga i vjen.
28Tallja dhe sharja vijnë nga mendjemadhi,
por hakmarrja si luani u zë pritë.
29Kush kënaqet me rrëzimin e besimtarëve, zihet në kurth,
vuajtja i bren para se të vdesin.
30Edhe furia e zemërimi janë të neveritshme,
por mëkatari kapet pas tyre.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
