Tobia 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Këshilla për Tobinë

1Atë ditë Tobitit iu kujtua argjendi që i kishte dhënë Gabaelit në Rages të Medës.

2Atëherë tha me vete: «Ja, kërkova vdekjen. Pse të mos thërras Tobinë, tim bir, dhe t'i tregoj për argjendin para se të vdes?».

3Thirri birin e vet Tobinë dhe ai erdhi. Pastaj i tha: «Më bëj një varrim të mirë. Ndero nënën tënde dhe mos e braktis gjatë gjithë ditëve të jetës së saj. Bëj si të dojë ajo e mos ia trishto shpirtin me asnjë veprim.

4Kujtohu, o bir, se ajo ka kaluar shumë rreziqe për ty, kur ishe në barkun e saj. Dhe, kur të vdesë, varrose pranë meje, në të njëjtin varr.

5Çdo ditë, o bir, kujtohu për Zotin. Mos e dëshiro mëkatin dhe mos i shkel urdhërimet e tij. Bëj ç'është e drejtë gjatë gjithë ditëve të jetës sate dhe mos ec udhëve të padrejtësisë.

6Atyre që zbatojnë të vërtetën u shkojnë punët mbarë,

7sikurse kujtdo që zbaton drejtësinë. Jep lëmoshë nga pasuria jote. Mos të ta lakmojë syri lëmoshën pasi ta kesh dhënë. Mos ia hiq sytë asnjë të varfri, që Perëndia të mos e largojë fytyrën nga ti.

8Si ta kesh pasurinë, ashtu jepe lëmoshën. Në paç pak, mos ki frikë të japësh lëmoshë nga ajo pak që ke,

9se do të mbledhësh thesare për ditë të vështirë.

10Lëmosha të shpëton nga vdekja dhe nuk të lë të zhytesh në errësirë.

11Lëmosha, për të gjithë ata që e japin, është dhuratë e mirë para të Tejlartit.

12Ruhu, o bir, nga çdo kurvëri. Para së gjithash martohu me një grua nga fara e etërve të tu. Mos merr grua të huaj, që nuk është nga fisi i atit tënd, sepse jemi fis profetësh. Kujto etërit tanë, Noeun, Abrahamin, Isakun, Jakobin, o bir, se të gjithë morën gra nga fisi i tyre. Ata u bekuan me pasardhës dhe fara e tyre do të trashëgojë dheun.

13Duaji, o bir, vëllezërit e tu e mos mbaj përçmim në zemër për vëllezërit e tu, për bijtë e bijat e popullit tënd, aq sa të mos marrësh grua prej tyre. Krenaria sjell shkatërrim dhe fatkeqësi të madhe, ndërsa përtacia skamje e varfëri, se përtacia është nëna e urisë.

14Mos ua mbaj pagën deri të nesërmen atyre që punojnë te ti, por paguaji menjëherë. Nëse i shërben Perëndisë, do ta marrësh shpërblimin. Kujdesu për veten, o bir, në çdo gjë që bën. Përmbahu në çdo sjellje.

15Çfarë urren për vete, mos ia bëj askujt. Mos pi verë me tepri, që të mos shkosh udhës i dehur.

16Jepu të varfërve nga buka jote dhe të zhveshurve nga petkat e tua. Tërë tepricën jepe lëmoshë dhe të mos e lakmojë syri yt lëmoshën e dhënë.

17Vëre bukën mbi varrin e të drejtëve, por mos u jep asgjë mëkatarëve.

18Kërko gjithmonë këshillë nga çdo i urtë dhe mos përçmo asnjë këshillë të dobishme.

19Në çdo kohë beko Zotin Perëndi. Kërkoji që udhët e tua të bëhen të drejta dhe të gjitha shtigjet e shestimet e tua të kenë mbarësi. Sepse asnjë komb s'ka urti, prandaj Zoti i jep këshillën e mirë, por, nëse ai vendos ndryshe, e plandos në skëterrën e thellë. Tani, o bir, kujtoi këto urdhërime dhe mos i shlyej nga zemra.

20Tani, o bir, po të tregoj se i kam lënë treqind kilogramë argjend Gabaelit, birit të Gabrit, në Rages të Medës.

21Mos u tremb, o bir, ndonëse jemi varfëruar. Ke begati të madhe po të kesh drojën e Perëndisë, po të largohesh nga çdo mëkat dhe po të bësh çfarë është e mirë para Zotit, Perëndisë tënd».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help