Urtia 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Përballë gjykimit të fundit

1Atëherë i drejti do të qëndrojë ballëlartë

përpara atyre që e kanë bërë të vuajë,

që kanë përçmuar dhimbjet e tij.

2Sapo ta shohin, do të dridhen nga frika e madhe,

do të shtangen nga shpëtimi i papritur,

3do të flasin me vete të penduar,

me shpirt të dëshpëruar do të rënkojnë:

4«Ky është ai që dikur përqeshëm,

që e kishim si shembull turpi ne të marrët.

Jetën e tij e quajtëm çmenduri,

fundin e tij të pandershëm.

5Si u rendit mes bijve të Perëndisë,

si i ra shorti mes të shenjtëve?

6U shmangëm nga udha e së vërtetës,

drita e drejtësisë nuk na ndriçoi,

as dielli nuk lindi për ne.

7Zgjodhëm shtegun e paudhësisë e të shkatërrimit,

ecëm në shkretëtira ku s'shkel këmbë njeriu,

por udhën e Zotit nuk e njohëm.

8Ç'dobi na solli krenaria?

Ç'të mirë patëm prej pasurisë e krenarisë?

9Kaluan të gjitha si hije,

si lajmëtari që vrapon,

10si anije që lundron në ujëra të trazuara,

që kalon e s'lë gjurmë,

si kiçi që s'lë brazdë në dallgë,

11si zogu që shpon ajrin

pa lënë gjurmë fluturimi,

ajri i lehtë, i rrahur nga përplasja e flatrave,

i çarë nga forca e vrullit,

përshkohet nga lëvizja e krahëve

e pastaj nuk gjendet shenjë kalimi,

12si shigjeta kur lëshohet drejt shënjestrës,

që çan ajrin e ky prapë bashkohet,

pa ia ditur udhën askush,

13kështu edhe ne, si lindim, vdesim

dhe s'kemi asnjë shenjë virtyti për të treguar.

E keqja jonë na e zhbëri».

14Se shpresa e të pabesit është si pluhur, që e vërtit era,

si bryma që davaritet prej suferinës,

si tymi që prej erës shpërndahet,

zhduket si kujtimi i bujtësit të një nate.

15Kurse të drejtët do të rrojnë përjetë,

Zoti do t'ua japë shpërblimin,

i Tejlarti do të kujdeset për ta.

16Do t'u jepet mbretëria e hijeshisë

dhe kurora e bukurisë nga dora e Zotit,

se me dorën e djathtë do t'i mbulojë,

kurse krahu i tij do t'i mbrojë.

17Zellin do ta ngjeshë si armë

dhe gjithë krijesën do ta armatosë,

që të mbrohet nga armiqtë.

18Do të veshë parzmore drejtësie,

si përkrenare do ta vërë në kokë drejtësinë e paanshme.

19Do ta veshë shenjtërinë si mburojë të pathyeshme.

20Zemërimin e beftë do ta mprehë si shpatë,

e gjithë bota do të luftojë me të kundër të marrëve.

21Shigjeta rrufesh do të godasin në shenjë

dhe do të ngulen në shënjestër

si të lëshuara prej harkut të ndehur të reve.

22Prej hobesë së zemërimit do të lëshohet breshër,

do të zemërohet kundër tyre uji i detit,

lumenjtë do t'i përmbytin papritur.

23Kundër tyre do të ngrihet erë e fortë,

si furtunë do t'i zhbijë.

Paudhësia do ta shkretojë gjithë dheun,

keqbërësit do t'ua përmbysin fronet sunduesve.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help