1 Makabenjve 8 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Bëmat e romakëve

1Juda ua kishte dëgjuar emrin romakëve, se ishin shumë të fuqishëm, se u pëlqenin të gjithë ata që u kërkonin ndihmë, se bëheshin miq me kë shkonte tek ata dhe se ishin shumë të fuqishëm.

2I kishin treguar për luftrat e për trimëritë që kishin bërë mes galëve, se i kishin mundur e i kishin vënë nën tagër,

3si dhe gjithçka kishin bërë në tokën e Spanjës për të shtënë në dorë minierat e argjendit e të arit që ndodheshin atje,

4sesi e sundonin mbarë krahinën me kujdes e durim, edhe pse vendi ishte shumë larg tyre. Kishin mundur mbretërit që kishin dalë kundër tyre nga skajet e dheut. I kishin shtypur e u kishin shkaktuar lëngata të mëdha. Të tjerët u paguanin tagër çdo vit.

5Edhe Filipin e Perseun, mbretin e Maqedonisë, i kishin mposhtur në luftë, si edhe ata që ishin ngritur kundër tyre.

6Kishin mundur edhe Antiokun, mbretin e madh të Azisë, që u kishte dalë në luftë me njëqind e njëzet elefantë, me kalorësi, me karroca e me ushtri të madhe, por ishte thyer prej tyre.

7Mbretin e kishin kapur të gjallë dhe i kishin caktuar që ai vetë dhe ata që do të mbretëronin pas tij të paguanin tagra të shumta, të jepnin pengje dhe dhurata.

8Vendin e Indisë, Medës e Lidisë ia morën e ia dhanë mbretit Eumen.

9Helenët kishin vendosur të vinin e t'i mposhtnin,

10por ata e kishin marrë vesh e kishin dërguar një kryeushtarak kundër tyre. Kishin dalë në luftë kundër tyre, por shumë prej tyre ishin plagosur e kishin rënë, gratë dhe fëmijët u ishin marrë robër, u kishin bastisur vendin, u kishin shkatërruar fortesat dhe i mbajnë robër gjer më sot.

11Mbretëritë e tjera e ishujt, ata që iu vunë kundër, i shkatërruan e i robëruan, por me miqtë e me ata që vareshin prej tyre, ruajtën miqësi.

12Nënshtruan mbretër të afërt e të largët. Kushdo që dëgjon emrin e tyre i ka frikë.

13Ndihmojnë e bëjnë mbret kë duan ata të bëhet mbret e heqin kë të duan. Qëndrojnë lart.

14Me të gjitha këto, askush prej tyre nuk ka vënë kurorë mbi kokë, as ka veshur rroba të purpurta, që të krekoset me to.

15Kanë ngritur një kuvend e çdo ditë treqind e njëzet kuvendarë mblidhen e kuvendojnë gjithnjë për punët e popullit, që të shkojnë mbarë.

16I besojnë një njeriu çdo vit, që t'u prijë e të sundojë trojet e tyre. Të gjithë dëgjojnë vetëm atë e mes tyre nuk ka lakmi apo zili.

Marrëveshja me Romën

17Juda përzgjodhi Eupolemin, birin e Johananit, të birin e Akosit, e Jasonin, birin e Eleazarit, e i dërgoi në Romë të lidhnin miqësi e marrëveshje,

18që të çliroheshin nga zgjedha, pasi e panë se mbretëria e helenëve po e skllavëronte Izraelin.

19Të dërguarit shkuan në Romë. Udhëtimi qe shumë i gjatë. Hynë në kuvend, folën e thanë:

20«Judë Makabeu, vëllezërit e tij e populli i judenjve na dërguan te ju që të lidhim një marrëveshje paqeje me ju, të bëhemi edhe ne krahëmbajtës e miq me ju».

21Romakëve u pëlqyen këto fjalë.

22Kjo është kopja e letrës që ata shkruan në pllaka bakri dhe dërguan në Jerusalem, që të mbetej atje në kujtim të paqes e marrëveshjes:

23«U priftë e mbara romakëve e judenjve në det e në tokë, përgjithmonë! Larg qofshin prej tyre shpata e armiku!

24Nëse hyn në luftë e para Roma apo çdo përkrahës i saj në mbarë zotërimet e saj,

25kombi i judenjve do t'u bëhet krah me gjithë zemër, si t'ua kërkojë rasti.

26Luftëtarëve armiq nuk do t'u japin e as do t'u dorëzojnë grurë, armë, para, anije, siç ka vendosur edhe Roma. Këtë marrëveshje do ta mbajnë pa shpërblim.

27Po ashtu, nëse hyn në luftë i pari kombi i judenjve, romakët do t'u bëhen krah me gjithë shpirt, si t'ua kërkojë rasti.

28Armiqve të tyre nuk do t'u japin grurë, armë, para e anije, sipas vendimit të Romës. Këto marrëveshje do të mbahen pa mashtrim.

29Romakët do t'u qëndrojnë këtyre fjalëve kundrejt popullit të judenjve.

30Nëse, pas këtyre fjalëve, njëra palë apo tjetra dëshirojnë të shtojnë apo heqin diçka, do ta bëjnë me vendim të përbashkët dhe shtesa apo heqja do të hyjë në fuqi.

31Sa për të këqiat që mbreti Dhimitër po u bën atyre, ne i kemi shkruar e i kemi thënë: “Pse e rëndon zgjedhën tënde mbi miqtë e përkrahësit tanë judenj?

32Nëse ankohen kundër teje, do t'i mbrojmë të drejtat e tyre e do të luftojmë kundër teje në det e në tokë”».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help