1Në muajin e dymbëdhjetë, domethënë në muajin Adar, më trembëdhjetë të atij muaji, kur do të zbatoheshin urdhri i mbretit dhe ligji i tij, ditën kur armiqtë e judenjve shpresonin të sundonin mbi ta, ndodhi e kundërta, judenjtë sunduan mbi urryesit e vet.
2Judenjtë u mblodhën në qytetet e veta, në të gjitha krahinat e mbretit Kserks, për të vënë dorë mbi ata që synonin t'u bënin ligësi. Askush nuk u bëri dot ballë, sepse të gjithë popujt kishin frikë prej tyre.
3Të gjithë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët e zbatuesit e punëve të mbretit i ndihmonin judenjtë, sepse i kishte zënë frika nga Mordakai.
4Mordakai ishte i rëndësishëm në shtëpinë e mbretit dhe për të dëgjohej në të gjitha krahinat. Mordakai u bë gjithnjë e më i rëndësishëm.
5Judenjtë i goditën të gjithë armiqtë, i shkuan në shpatë, i therën, i shfarosën e bënë çfarë deshën me urryesit e vet.
6Judenjtë vranë e shfarosën në kështjellën e Shushanit pesëqind burra.
7Vranë edhe Parshandatën, Dalfonin, Aspatën,
8Poratën, Adaljanë, Artidatanë,
9Parmashtanë, Arisajin, Aridajin, Vajzatain,
10dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamdatait, përndjekësit të judenjve, por nuk vunë dorë në plaçkë.
11Po atë ditë mbreti, në kështjellën e Shushanit, u njoftua për numrin e të vrarëve.
12Mbreti i tha mbretëreshës Ester: «Judenjtë kanë vrarë e shfarosur pesëqind burra, si dhe dhjetë djemtë e Hamanit në kështjellën e Shushanit. Po në krahinat e tjera të mbretit çfarë kanë bërë? Cila është kërkesa jote, se do të të plotësohet».
13Atëherë Estera tha: «Nëse i pëlqen mbretit, judenjtë që gjenden në Shushan, le të veprojnë edhe nesër sipas ligjit të sotëm e le të varen në shtyllë dhjetë bijtë e Hamanit».
14Mbreti urdhëroi të veprohej ashtu. Ligji u shpall në Shushan dhe dhjetë bijtë e Hamanit i varën.
15Judenjtë që gjendeshin në Shushan u mblodhën edhe në ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar e vranë treqind burra në Shushan, por në plaçkë nuk vunë dorë.
16Judenjtë e tjerë që gjendeshin në krahinat e mbretit, u mblodhën për t'u mbrojtur, u strehuan prej armiqve e vranë shtatëdhjetë e pesë mijë urryes të tyre, por në plaçkë nuk vunë dorë.
17Ishte dita e trembëdhjetë e muajit Adar. Ditën e katërmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje.
18Judenjtë e Shushanit u mblodhën ditën e trembëdhjetë dhe ditën e katërmbëdhjetë, ndërsa më pesëmbëdhjetë pushuan dhe e caktuan ditë gostie e hareje.
19Për këtë arsye judenjtë e fshatrave, që jetojnë në qytete pa mure, e kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit Adar si ditë gëzimi, gostie e feste dhe shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin.
20Mordakai i shkroi këto ndodhi dhe u dërgoi letra të gjithë judenjve që gjendeshin në të gjitha krahinat e afërta e të largëta të mbretit Kserks,
21për t'i urdhëruar të mbanin vit pas viti ditën e katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë të muajit Adar,
22si ditë në të cilat judenjtë shpëtuan nga armiqtë dhe si muajin në të cilin pikëllimi i tyre u kthye në gëzim e zija në festë, që t'i mbanin si ditë gostie e hareje, ditë në të cilat ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin e u japin dhurata të varfërve.
23Atëherë judenjtë pranuan këtë që kishin filluar të bënin, siç u kishte shkruar Mordakai,
24se Hamani, biri i Hamdata Agagitit, përndjekësi i të gjithë judenjve, kishte menduar t'i shfaroste judenjtë dhe kishte hedhur Pur, domethënë short, për t'i pështjelluar e për t'i rrënuar,
25por, kur Estera ishte paraqitur para mbretit, ai kishte urdhëruar me shkrim që shestimi i lig i Hamanit kundër judenjve të kthehej e t'i binte kokës e që ai e bijtë e tij të vareshin në shtyllë.
26Për këtë arsye këto ditë quhen Purim, nga emri Pur. Për shkak të gjithë çfarë ishte shkruar në letër, për çfarë kishin përjetuar si rrjedhojë e kësaj e për gjërat që u kishin ndodhur,
27judenjtë vendosën dhe caktuan t'i mbanin këto dy ditë për vete, për pasardhësit e tyre e për të gjithë sa do të bashkoheshin me ta, pa e lënë pas dore mbajtjen e këtyre dy ditëve, siç kishin shkruar e caktuar, vit pas viti.
28Këto ditë kujtohen e kremtohen brez pas brezi, në çdo familje, krahinë e qytet. Judenjtë nuk duhet t'i harrojnë këto ditë Purimi. Kujtimi i tyre nuk do të shuhet ndër pasardhësit e tyre.
29Mbretëresha Ester, e bija e Abihajlës, dhe judeu Mordakai shkruan me pushtet të plotë, për ta vënë në fuqi këtë letër të dytë në lidhje me Purimin.
30Letrat iu dërguan të gjithë judenjve në të njëqind e njëzet e shtatë krahinat e mbretërisë së Kserksit, me fjalë paqësore e të sinqerta,
31për t'i caktuar këto ditë Purimi në kohën e duhur, siç i kishin caktuar për ta judeu Mordakai dhe mbretëresha Ester dhe siç i kishin caktuar për vete e për pasardhësit e vet në lidhje me agjërimin e vajtimin.
32Urdhri i Esterës vendosi hollësitë në lidhje me Purimin. Ato u shkruan në një libër.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.