1 Makabenjve 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Matatia dhe të bijtë

1Në atë kohë, Matatia, biri i Johananit, të birit të Simeonit, prift nga bijtë e Joaribit, u largua nga Jerusalemi e u vendos në Modein.

2Ai kishte pesë djem, Johananin, që e thërrisnin Gad,

3Simonin, që e thërrisnin Tas,

4Judën, që e thërrisnin Makabe,

5Eleazarin, që e thërrisnin Avaran, dhe Jonatanin, që e thërrisnin Apfu.

6Matatia i pa fyerjet që i bëheshin Zotit në Jude e në Jerusalem

7dhe tha:

«Mjerë unë! Pse paskam lindur?

Që të shoh shkatërrimin e popullit tim,

shkatërrimin e qytetit të shenjtë,

që të rri ndenjur tek i dorëzohet armikut,

tek lihet në dorën e të huajve shenjtërorja?

8Tempulli i qytetit u bë burrë i çnderuar,

9enët e lavdisë i morën plaçkë lufte,

foshnjat ia vranë në sheshet e veta,

të rinjtë ranë në shpatën e armikut.

10Cili komb nuk mori një copë nga mbretëria?

Kush mbeti pa marrë plaçkë prej saj?

11Stolitë iu grabitën të tëra,

nga liria ra në skllavëri.

12Dhe ja, shenjtërorja jonë, hijeshia e lavdia na u shkretuan,

kombet na i përdhosën.

13Çka na duhet jeta?».

14Pas kësaj Matatia bashkë me të bijtë grisën rrobat, veshën nga një thes e ia dhanë vajit.

Flijimi në Modein

15Ata që mbreti i kishte ngarkuar t'i largonin njerëzit nga feja mbërritën në Modein, për të kushtuar fli.

16Shumë izraelitë shkuan tek ata, ndërsa Matatia u mblodh me të bijtë.

17Njerëzit e mbretit i thanë Matatisë: «Ti je prijës i nderuar e i madh në këtë qytet dhe ke përkrahjen e bijve e vëllezërve të tu.

18Eja, pra, i pari e bindju urdhrit të mbretit, siç kanë bërë të gjitha kombet, burrat e Judës dhe ata të Jerusalemit. Kështu, ti e bijtë e tu do të numëroheni mes miqve të mbretit. Ti e bijtë e tu do të nderoheni me argjend, ar e dhurata të shumta».

19Matatia u përgjigj e tha me zë të lartë: «Edhe sikur të gjitha kombet që ndodhen nën mbretin t'i binden urdhrit të tij, të braktisin fenë e etërve të tyre dhe t'i zbatojnë porositë e tij,

20unë, bijtë e vëllezërit e mi do t'i mbetemi besnikë besëlidhjes së etërve tanë.

21Mjerë ne, po braktisëm ligjin e urdhërimet!

22Nuk do t'i bindemi urdhrit të mbretit e nuk do t'i shmangemi fesë sonë as djathtas, as majtas».

23Sapo Matatia tha këto fjalë, një jude doli para të gjithëve e kushtoi fli në altarin e Modeinit, sipas urdhrit të mbretit.

24Kur Matatia e pa këtë, e kapi zelli dhe veshkat zunë t'i dridhen. U zemërua me të drejtë, vrapoi dhe e vrau mbi altar.

25Në të njëjtën kohë vrau edhe të dërguarin e mbretit, që i kishte detyruar të kushtonin fli dhe shkatërroi altarin.

26E kishte kapur zelli për ligjin, si Finehasi që vrau Zambriun, birin e Salomit.

27Mandej Matatia thirri në qytet me zë të lartë: «Kush ka zell për ligjin e i del zot besëlidhjes, të vijë pas meje».

28Atëherë ai dhe bijtë e tij morën malet dhe lanë në qytet gjithçka patën.

29Asokohe shumë vetë që kërkonin drejtësi e gjykim të drejtë shkuan në shkretëtirë e ndenjën atje,

30bashkë me bijtë, gratë e bagëtitë e tyre, sepse iu shtuan të këqijat.

31Njerëzit dhe ushtria e mbretit në Jerusalem, në qytetin e Davidit, u njoftuan se ata që kishin shpërfillur urdhrin e mbretit ishin fshehur në shkretëtirë.

32Ushtria u nis për t'i kërkuar. I gjeti, fushoi kundruall tyre e u bë gati për t'i sulmuar ditën e shtunë.

33Atëherë u thanë: «Mjaft më! Dilni e zbatoni urdhrin e mbretit, që të shpëtoni gjallë».

34Por ata thanë: «Nuk do të dalim e nuk do ta zbatojmë urdhrin e mbretit, për të përdhosur të shtunën».

35Menjëherë ushtarët u hodhën në sulm.

36Ata nuk u përgjigjën, nuk gjuajtën me gurë e nuk ndërtuan mburoja në shpellat ku ishin futur

37e thanë: «Le të vdesim të pafajshëm që të gjithë. Qielli e toka janë dëshmitarë se po na vrisni padrejtësisht».

38I sulmuan të shtunën dhe i vranë bashkë me gratë, fëmijët e kafshët. Ishin rreth një mijë shpirtra njerëzish.

39Kur Matatia e miqtë e tij morën lajmin, i qanë me hidhërim.

40Atëherë burrat i thanë njëri-tjetrit: «Po të bëjmë si të gjithë vëllezërit tanë e të mos luftojmë kundër kombeve për të mbrojtur veten e ligjet tona, do të na zhbijnë shpejt nga faqja e dheut».

41Atë ditë morën këtë vendim: «Do të luftojmë kundër kujtdo që na sulmon ditën e shtunë, që të mos vdesim si vëllezërit tanë nëpër shpella».

42Me ta u bashkuan edhe një grup hasidimësh, të njohur në Izrael për fuqinë e tyre, si dhe të gjithë ndjekësit e përkushtuar të ligjit.

43Të gjithë ata që kishin marrë arratinë nga të këqijat, u bashkuan me ta për t'i përkrahur.

44Mblodhën një ushtri e u ranë me furi mëkatarëve e të paudhëve. Të tjerët shkuan nëpër kombe që të shpëtonin.

45Matatia dhe miqtë e tij shkatërruan altarët,

46rrethprenë me forcë të gjithë fëmijët e parrethprerë në Izrael,

47dëbuan kryeneçët dhe puna u shkoi mbarë.

48E mbrojtën ligjin nga duart e kombeve e të mbretërve dhe nuk e lejuan mëkatarin të krekosej.

49Kur iu afrua vdekja, Matatia u tha të bijve: «Tashmë mbizotërojnë krenaria e poshtërimi. Kanë ardhur kohë shkatërrimi e zemërimi të madh.

50Tani, bij, jepuni pas ligjit e kushtojani jetën besëlidhjes së etërve tanë.

51Kujtoni veprat që etërit i kryen në kohën e tyre e do të fitoni lavdi të madhe dhe emër në amshim.

52A nuk qëndroi besnik Abrahami në kohë sprove dhe kjo iu numërua për drejtësi?

53Kur u gjet ngushtë, Jozefi mbajti urdhërimet dhe u bë zot i Egjiptit.

54Finehasi, ati ynë, falë zellit mori besëlidhjen e priftërisë së amshuar.

55Jozuehu u bë gjykatës i Izraelit, sepse zbatoi urdhrin.

56Kalebi u bë trashëgimtar i tokës, sepse dëshmoi përpara bashkësisë.

57Davidi trashëgoi fronin e mbretërisë së amshuar, sepse u tregua i mëshirshëm.

58Elia u mor në qiell, sepse pati zell për ligjin.

59Hananiahu, Azarjahu e Mishaeli u shpëtuan flakëve, sepse besuan.

60Danieli shpëtoi prej gojës së luanëve, sepse ishte i drejtë.

61Këto përsiatni brez pas brezi, se atyre që shpresojnë në të nuk do t'u mungojë forca.

62Mos u trembni nga fjalët e mëkatarit, se bajga e krimba bëhet lavdia e tij.

63Sot lartohet e nesër s'gjendet. Kthehet në dhe, synimet i shfarosen.

64Bij, bëhuni burra e forcohuni në ligj, se prej tij merrni lavdi.

65Ja, Simeoni, vëllai juaj, është burrë i urtë. Dëgjojeni gjithë jetën. Ai do të jetë ati juaj.

66Judë Makabeu është luftëtar i fuqishëm që në rini. Ai do të jetë kreu i ushtrisë suaj e do të luftojë kundër popujve.

67Mblidhini të gjithë ata që zbatojnë ligjin e merrni hak për popullin tuaj.

68Shpaguajini kombet e mbajini urdhërimet e ligjit».

69Atëherë i bekoi e shkoi me të parët e vet.

70Matatia vdiq në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e katër e u varros në varret e etërve të tij në Modein. Mbarë Izraeli e qau me hidhërim.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help