Psalmet 103 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1I Davidit.

Bekoje Zotin, o shpirti im,

dhe gjithë qenia ime emrin e tij të shenjtë.

2Bekoje Zotin, o shpirti im,

dhe mos i harro bamirësitë e tij.

3Ai fal tërë paudhësitë e tua,

ai shëron tërë sëmundjet e tua.

4Ta shpëton jetën prej varrit,

të kurorëzon me mirësi e dhembshuri.

5Ai ta mbush jetën me të mira,

ai të rinon si shqiponjën.

6 Zoti bën vepra të drejta,

u jep drejtësi të shtypurve.

7Udhët e tij ia dëftoi Moisiut,

veprat e tij bijve të Izraelit.

8 Zoti është i dhembshur e i mëshirshëm,

i duruar e plot mirësi.

9Nuk padit përgjithmonë,

as mban mëri përjetë.

10Nuk na trajton sipas mëkateve tona,

as na shpaguan sipas paudhësive tona.

11Sa lart është qielli nga toka,

aq e madhe është mirësia e tij për ata që e druajnë.

12Sa larg është lindja nga perëndimi,

aq i largon prej nesh paudhësitë tona.

13Siç i dhimbsen bijtë një ati,

ashtu i dhimbsen Zotit ata që e druajnë.

14Se ai e di si jemi krijuar,

nuk harron që jemi pluhur.

15Ditët e njeriut janë si bari,

ai lulëzon si lulja e fushës.

16Fryn era dhe e shuan,

nuk dihet as ku ka qenë.

17Por mirësia e Zotit mbetet përjetë e në amshim për ata që e druajnë

dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve të tyre,

18për ata që mbajnë besëlidhjen e tij,

që zbatojnë pa harruar porositë e tij.

19 Zoti e ka vendosur fronin në qiell,

mbretëria e tij sundon gjithçka.

20Bekojeni Zotin, o ju engjëjt e tij të fortë e të fuqishëm,

ju që zbatoni urdhrat e tij, sapo dëgjoni fjalët e tij.

21Bekojeni Zotin, gjithë ju ushtritë e tij,

ju shërbestarët e tij, që bëni vullnetin e tij.

22Bekojeni Zotin, gjithë ju veprat e Zotit,

në çdo vend ku ai sundon.

Bekoje Zotin, o shpirti im!

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help