Luka 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Thirrja e dishepujve të parë(Mt 4.18-22; Mk 1.16-20)

1Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.

2Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat.

3Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka.

4Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim».

5Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t'i hedh rrjetat».

6Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat.

7Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t'i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin.

8Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar».

9Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë.

10Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish».

11Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit.

Pastrimi i të lebrosurit(Mt 8.1-4; Mk 1.40-45)

12Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh».

13Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë.

14Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t'u shërbejë si dëshmi».

15Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre.

16Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.

Shërimi i të paralizuarit(Mt 9.1-8; Mk 2.1-12)

17Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.

18Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij,

19por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit.

20Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet».

21Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?».

22Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja?

23Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?.

24Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!».

25Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë.

26Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».

Thirrja e Levit(Mt 9.9-13; Mk 2.13-17)

27Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!».

28Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.

29Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë.

30Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?».

31Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

32Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».

Çështja e agjërimit(Mt 9.14-17; Mk 2.18-22)

33Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë».

34Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta?

35Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».

36Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës.

37Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm.

38Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj.

39Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help