1 Makabenjve 15 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Antioku VII dhe Simoni

1Antioku, biri i mbretit Dhimitër, i dërgoi një letër nga ishujt e detit Simonit, priftit e prijësit të judenjve, dhe gjithë kombit.

2Kjo është përmbajtja e saj: «Mbreti Antiok Simonit, priftit të madh e prijësit të kombit, si dhe kombit të judenjve: përshëndetje.

3Meqë disa ngatërrestarë kanë shtënë në dorë mbretërinë e etërve tanë, kam vendosur ta marr përsëri mbretërinë e ta kthej siç ka qenë më parë. Kam mbledhur një hordhi me ushtarë të huaj dhe kam përgatitur anijet luftarake.

4Kam ndërmend të zbres nga anija në vend, për t'i ndëshkuar ata që e shkatërruan vendin tonë dhe shkretuan shumë qytete në mbretërinë time.

5Lë në fuqi të gjitha lëshimet që ju kanë bërë mbretërit para meje dhe faljen e të gjitha detyrimeve të tjera.

6Të lejoj të presësh monedhën tënde si para për vendin tënd.

7Jerusalemi e shenjtërorja të jenë të lira. Të gjitha armët që ke përgatitur, fortifikimet që ke ndërtuar dhe që i zotëron, mbeten të tuat.

8Çdo detyrim ndaj arkës mbretërore dhe detyrimet e ardhshme ndaj mbretit që tani e tutje, të falen.

9Kur të marrim në zotërim mbretërinë tonë, do të të nderojmë ty, kombin tënd e tempullin. Lavdia juaj do të shfaqet në mbarë dheun».

10Në vitin njëqind e shtatëdhjetë e katër Antioku doli drejt tokës së etërve të tij. Të gjithë ushtarët shkuan me të, prandaj pak mbetën me Trifonin.

11Antioku e ndoqi, por ai iku e u strehua në Dorë, pranë detit,

12megjithëse e dinte se do t'i binin lëngatat dhe se ushtarët e kishin braktisur.

13Antioku nguli fushimin kundër Dorës me njëqind e njëzet mijë ushtarë e tetë mijë kalorës.

14E rrethoi qytetin dhe anijet u afruan nga deti. E rrethoi qytetin nga toka e nga deti dhe askush nuk mund të hynte e të dilte.

15Numeni dhe njerëzit e tij u kthyen nga Roma bashkë me letrat për mbretërit dhe vendet e tyre, në të cilat shkruhej:

16«Luci, konsulli i romakëve, mbretit Ptoleme: përshëndetje.

17Përfaqësuesit e judenjve erdhën te ne si miq e përkrahës për të përtërirë miqësinë e dikurshme dhe marrëveshjen. I ka dërguar kryeprifti Simon e populli i judenjve

18dhe kanë sjellë një mburojë të artë pesëqind kilogramë të rëndë.

19Na duket gjë e mirë t'u shkruajmë mbretërve e vendeve që të mos ua duan të keqen, të mos i luftojnë në qytetet e vendin e tyre e të mos bëhen përkrahës të armiqve të tyre.

20Na u duk e drejtë ta pranonim mburojën prej tyre.

21Nëse ndonjë ngatërrestar nga vendi i tyre është strehuar te ju, dorëzojani kryepriftit Simon, që t'i ndëshkojë sipas ligjit të tyre».

22Këto ia shkroi edhe mbretit Dhimitër, Atalit, Ariaratit, Arsakesit

23dhe të gjitha vendeve: Sampsamës, Spartës, Delit, Mindosit, Sikionit, Karisë, Samosit, Pamfilisë, Likisë, Alikarnasit, Rodit, Faselidës, Kosit, Sidës, Aradit, Gortinës, Knidës, Qipros dhe Kirenës.

24Një kopje ia dërgoi edhe kryepriftit Simon.

25Mbreti Antiok e rrethoi Dorën përsëri. Ngriti dorë kundër tij dhe e sulmoi gjatë gjithë kohës me mjetet që kishte sajuar. Trifonit nuk i la mundësi, as të dilte, as të hynte.

26Simoni i dërgoi dy mijë burra të zgjedhur që të luftonin me të, si dhe argjend, ar e armë lufte,

27por ai nuk deshi t'i pranonte. I zhbëri të gjitha marrëveshjet që kishte bërë me të dhe iu bë armik.

28Pastaj i dërgoi Atenobin, njërin prej miqve të tij, që të merrej vesh me të e t'i thoshte: «Ti ke nën zotërim Jopën, Gazarën dhe fortesën e Jerusalemit, qytete të mbretërisë sime.

29Trojet e tyre i keni rrënuar, keni shkaktuar lëngata në vend dhe e keni shtrirë shumë sundimin në mbretërinë time.

30Tani na i dorëzoni qytetet që keni pushtuar bashkë me tagrat e vendeve që keni pushtuar jashtë trojeve të Judesë.

31Përndryshe duhet të më jepni trembëmbëdhjetë tonë argjend për shkatërrimet që keni bërë dhe trembëmbëdhjetë tonë argjend të tjerë për tagrat e qyteteve. Nëse jo, do të vijmë t'ju luftojmë».

32Atenobi, miku i mbretit, erdhi në Jerusalem dhe u mrekullua kur pa lavdinë e Simonit, enët prej ari e argjendi dhe gjithë shkëlqimin e tij. I kumtoi fjalët e mbretit,

33por Simoni iu përgjigj: «As kemi marrë tokë të huaj, as kemi përvetësuar gjënë e huaj, por vetëm çfarë kemi trashëguar prej etërve tanë, që dikur na e kishin marrë padrejtësisht armiqtë.

34Tani që na u dha mundësia, morëm përsëri trashëgiminë e etërve tanë.

35Sa për Jopën e Gazarën, që po i kërkon, këto qytete i kanë shkaktuar lëngata të mëdha popullit e vendit tonë, prandaj për to ju japim dy mijë e shtatëqind kilogramë argjend».

36Atenobi nuk u ktheu fjalë, por u kthye te mbreti i zemëruar, ia kumtoi ato fjalë, por edhe lavdinë e Simonit e gjithçka kishte parë. Atëherë mbreti u zemërua fort.

37Trifoni hipi në një anije dhe iku në Ortosi.

38Mbreti vuri Kendebeun kryeushtarak të bregdetit dhe i dha ushtarë këmbësorie e kalorësie.

39E urdhëroi të ngulte fushimin kundër Judesë, të ndërtonte Kedronin, t'i përforconte portat e t'i hapte luftë popullit. Mbreti u vu në ndjekje të Trifonit.

40Kendebeu mbërriti në Jamni dhe filloi të ngucte popullin, të pushtonte Judenë, të merrte popullin rob e t'i vriste.

41Ndërtoi Kedronin dhe vendosi atje kalorës e ushtarë, që të dilnin e të plaçkisnin rrugët e Judesë, siç e kishte urdhëruar mbreti.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help