Urtia 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vlera e drejtësisë

1Dashuroni drejtësinë, ju që gjykoni dheun,

mendoni për Zotin me mirësi,

kërkojeni me zemër të thjeshtë.

2E gjejnë ata që nuk e vënë në provë,

u shfaqet atyre që nuk janë mosbesues ndaj tij.

3Mendimet e shtrembëra na ndajnë prej Perëndisë,

sprovimi i fuqisë së tij i ndëshkon të pamendët.

4Urtia nuk hyn në shpirtin keqbërës,

as banon në trupin e lidhur nga mëkati.

5Shpirti i shenjtë i mësimit i ikën mashtrimit,

u shmanget mendimeve të të pamendëve,

largohet kur ia beh padrejtësia.

6Urtia është shpirt njeridashës,

s'e shfajëson kë fyen me buzë,

se Perëndia është dëshmitar i veshkave të tij,

shqyrtues i vërtetë i zemrës,

ai dëgjon ç'i thotë gjuha.

7Fryma e Zotit mbush botën,

përmbajtësi i të gjithave ua njeh tingullin.

8Kush flet padrejtësisht nuk përvidhet dot,

s'i shpëton ndëshkimit të gjyqit.

9Mendimet e të pabesit hetohen,

fjalët e tij i dëgjon Zoti,

paudhësitë e tij ndëshkohen.

10Veshi i mprehtë dëgjon gjithçka,

as pëshpërimat nuk i shpëtojnë.

11Ruhu nga pëshpërimat e padobishme,

mbaje gjuhën nga shpifjet,

se asnjë fjalë e fshehur s'del huq,

goja gënjeshtare shkatërron shpirtin.

12Mos joshni vdekjen me gabimet e jetës,

mos u rrënoni nga veprat e duarve tuaja,

13se Perëndia nuk e krijoi vdekjen,

as gëzohet me shkatërrimin e të gjallëve.

14Të gjitha i krijoi që të jetojnë,

breznitë e botës mbartin shpëtimin

e nuk kanë helmin e shkatërrimit,

mbretëria e skëterrës s'mbretëron mbi dhe,

15se drejtësia është e pavdekshme.

16Por të pabesët e ftojnë vdekjen me vepra e fjalë,

e bëjnë mikeshë e shkrihen për të,

lidhin besën me të,

se u takon hisja e saj.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help