Siraku 3 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Detyrat ndaj prindërve

1Dëgjomëni mua, atin tuaj, o bij,

kështu veproni, që të shpëtoni.

2Zoti nderon atin më shumë se fëmijët,

cakton të drejtat e nënës mbi bijtë.

3Kush e nderon të atin,

pastrohet nga mëkatet.

4Kush e nderon nënën,

është si të mbledhë thesare.

5Atë që nderon të atin, e gëzojnë të bijtë,

atij i dëgjohet lutja fill.

6Atij që lavdëron të atin, i zgjatet jeta,

kush dëgjon Zotin e paqëson të ëmën,

7u shërben prindërve si të zotërve.

8Me vepra e fjalë nderoje atin,

që prej tij të të vijë bekimi.

9Bekimi i atit e forcon shtëpinë e fëmijëve,

mallkimi i nënës ia shkul themelet.

10Mos u mburr me çnderimin e atin tënd,

se çnderimi i atit nuk është nder.

11Nderimi i atit i jep nder njeriut,

është turp për fëmijët ta përbuzin nënën.

12O bir, ndihmoje atin në pleqëri,

sa është gjallë mos e hidhëro.

13Po ta humbë arsyen, ki dhembshuri,

mos e përbuz në kulmin e fuqisë sate.

14Mirësia ndaj atit nuk harrohet,

në këmbim të mëkateve vlerësohet.

15Do të kujtohet për ty në ditën e pikëllimit,

si bryma në të ngrohtë do të shkrijnë mëkatet e tua.

16Kush braktis të atin është si ai që fyen Zotin,

kush zemëron të ëmën është i mallkuar nga Zoti.

17Bir, kryeji veprat e tua me butësi,

dhe të dashurit e Zotit do të të duan.

18Sa më i madh të jesh, aq më shumë përulu,

që të gjesh hir para Zotit.

19[Të shumtë janë të lartët dhe të lavdishmit,

por i buti do t'ua zbulojë të fshehtat.]

20E madhe është fuqia e Zotit,

të përulurit do ta përlëvdojnë.

21Mos kërko të vështirën,

mos heto përtej fuqive.

22Mendo për çka të është urdhëruar,

të fshehtat nuk janë puna jote.

23Mos u mundo me çka nuk ia del dot,

se të është shfaqur më shumë nga sa kupton njeriu.

24Shumë u mashtruan nga paragjykimet,

në hamendësime të liga u shkau mendja.

25[Pa beben e syrit, nuk e sheh dritën,

kur nuk ke dije, mos bëj sikur di.]

26Zemra e ngurtë në fund do të vuajë,

kush dashuron rrezikun, prej tij do të zhbihet.

27Zemra e ngurtë rëndohet me dhimbje,

mëkatari shton mëkat mbi mëkat.

28Vuajtja e mendjemadhit nuk ka shërim,

në të ka zënë rrënjë bima e ligësisë.

29Zemra e të mençurit e kupton shëmbëlltyrën,

i urti e dëshiron një vesh të vëmendshëm.

30Uji e shuan zjarrin e fuqishëm,

lëmosha i pastron mëkatet.

31Kush e kthen të mirën, mendon për të ardhmen,

kur të rrëzohet do të gjejë mbështetje.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help