Hagai 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Rindërtimi i tempullit

1Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e Zotit iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut:

2«Kështu thotë Zoti i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e Zotit».

3Fjala e Zotit erdhi me anë të profetit Haga:

4«Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara!

Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar!

5Ndaj, kështu thotë Zoti i ushtrive:

shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!

6Mbillni shumë, por korrni pak,

hani, por nuk ngiheni,

pini, por nuk ngopeni,

visheni, por askush s'ka ngrohtë

dhe mëditësit i shkon paga

në qese të shpuar.

7Kështu thotë Zoti i ushtrive:

shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!

8Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë,

që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë Zoti.

9Deshët shumë, por ja që morët pak

e kur e sollët në shtëpi, ua prisha.

Përse? Kumton Zoti i ushtrive.

Sepse shtëpia ime është e rrënuar,

ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet.

10Ndaj, qielli vesë nuk dha,

as toka frytin e vet.

11Thirra thatësirën përmbi tokë e male,

përmbi drithë, verë e vaj,

përmbi çdo fryt që del prej dheut,

përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh».

12Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar Zoti, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë Zotin.

13Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i dha popullit lajmin e Zotit: «Unë jam me ju, kumton Zoti».

14Zoti e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre,

15në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help