3 Makabenjve 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Robërimi në Aleksandri

1Kudo ku mbërriti ky urdhër, kombet bënë kremtime me shpenzimet e shtetit. Brohoritnin e gëzonin. Urrejtja që u ishte rrënjosur thellë në mendje qëmoti, tani shprehej hapur.

2Judenjtë i zuri gjëma e madhe. Vajtonin me lot e me ofshama dhe u rënkonte zemra nga shfarosja e papritur kundër tyre.

3Cila krahinë, cili qytet, cili vendbanim apo cila rrugë nuk u mbush me vajtimet e me dënesat e tyre?

4Kryeushtarakët e çdo qyteti i dëbuan me aq mizori dhe shpirtligësi saqë, përballë ndëshkimeve të egra, edhe disa prej armiqve, kur i panë, ndienë mëshirë dhe qanë për rrezikun e jetës së tyre dhe për fundin e tyre të tmerrshëm.

5Pleqtë flokëbardhë dhe me këmbë të kërrusura prej pleqërisë, i morën si kope. I shtynin me dhunë, pa pikë turpi, që të ecnin shpejt.

6Vashat, që sapo ishin mbyllur në dhomat martesore, gati për martesë, në vend që të gëzoheshin, vajtonin dhe hidhnin pluhur në flokët e tyre plot aroma. I morën kokëzbuluar dhe, në vend që të këndonin këngë nusërie, kishin vënë kujën, të tmerruara nga dhuna e idhujtarëve.

7I lidhën në sytë e të gjithëve dhe i hoqën zvarrë derisa i hipën në anije.

8Bashkëshortët e tyre, në lule të moshës, i lidhën me litarë në qafë në vend të luleve. Ata i kaluan ditët martesore jo në këndellje dhe kënaqësi rinore, por me vajtime, tek i çonin në këmbë drejt vdekjes dhe tek shikonin skëterrën të hapur para tyre.

9I hipën në anije si kafshë të egra, të lidhur me vargonj, disa të lidhur për qafe nëpër parmakët e anijes, të tjerë të lidhur nga këmbët me pranga të pathyeshme.

10Për më tepër, i kishin mbuluar me dërrasa të ngjeshura pas njëra-tjetrës, që të rrinin gjithë kohën në errësirë dhe t'u erreshin sytë. I trajtuan si keqbërës gjatë gjithë udhëtimit.

11Judenjtë i sollën në vendin e quajtur Skedi dhe lundrimi përfundoi sipas urdhrit të mbretit. Mbreti i kishte udhëzuar që t'i mbyllnin në hipodromin, që ishte ndanë qytetit dhe rrethohej me thurimë të lartë. Vendi ishte shumë i përshtatshëm për t'i bërë shembull për të gjithë ata që hynin në qytet dhe që dilnin për në rrethina. Kështu, ata nuk mund të flitnin as me ushtarët e as të përfitonin mbrojtjen e mureve të qytetit.

12Pavarësisht kësaj, mbreti dëgjoi se bashkëkombësit e qytetit dilnin fshehtas dhe vajtonin gjendjen e mjeruar të vëllezërve të tyre.

13I zemëruar, urdhëroi t'i trajtonin edhe këta në të njëjtën mënyrë si ata, pa i hequr gjë ndëshkimit të tyre.

14Urdhëroi që i gjithë kombi të shkruhej në amza me emër, jo që të bënin punë të detyruar, siç kishte thënë më parë, por për t'i nënshtruar në mundimet e urdhëruara dhe për t'i shfarosur mandej brenda një ditë.

15Shkrimi i tyre në amza u bë me shumë ngut dhe me zell të madh, që nga lindja deri në perëndim të diellit, për dyzet ditë, pa mundur të përfundojë.

16Ndërkohë mbreti ishte mëse i gëzuar dhe shtronte tërë kohën gosti madhështore për të gjithë idhujt. Mendja e tij e mashtruar ishte larg së vërtetës dhe goja e tij përdhosëse përlëvdonte idhujt pa gojë e pa vesh, ndërsa për Perëndinë e madhërishëm fliste vetëm fjalë fyese.

17Pasi kaloi koha e caktuar, shkruesit shkuan tek mbreti e i thanë se nuk mund ta përfundonin shkrimin e judenjve në amza, se ishin të panumërt.

18Për më tepër, shumica gjendeshin nëpër rrethina, disa ishin mbledhur nëpër shtëpitë e tyre dhe të tjerë të shpërndarë anekënd vendit. Kjo e bënte të pamundur zbatimin e urdhrit nga kryeushtarakët e Egjiptit.

19Mbreti i kërcënoi ashpër dhe i fajësoi se ishin shitur te judenjtë dhe i kishin lënë të iknin. Por u bind vetë për këtë,

20kur shkruesit i treguan papiruset dhe penat që u kishin mbaruar.

21Ky ishte veprim i përkujdesjes së palëkundur nga qielli në ndihmë të judenjve.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help