1Mos dëshiro një rrungajë fëmijësh të padobishëm,
mos iu gëzo bijve të pafe.
2Nëse shumohen, mos iu gëzo,
veç po të kenë drojën e Zotit.
3Mos u uro jetë të gjatë
e mos u mbështet te rrungaja e tyre.
Më mirë të kesh një, se një mijë,
të vdesësh pa fëmijë, se me fëmijë të pafe.
4Një i mençur popullon qytetin,
por fisi i të paudhëve shkretohet.
5Syri më ka parë shumë gjëra të tilla,
gjëra më të forta më ka dëgjuar veshi.
6Në kuvendin e të paudhëve bie zjarri,
në kombin e pabindur ndizet zemërimi.
7Viganët e kahershëm nuk i fali,
ata ngritën krye falë fuqisë së tyre.
8Nuk i kurseu fqinjët e Lotit,
por i përçmoi se ishin mburravecë.
9Nuk e përdëlleu kombin e dënuar,
që u zhbi prej mëkateve të veta,
[Këto gjëra u bëri kombeve zemërgurë,
as të shenjtët e vet të shumtë nuk e ngushëlluan.]
10as këmbësorinë gjashtëqindmijëshe
që u mblodh me kryeneçësi.
11Edhe një kryeneç i vetëm po të ishte,
do të ishte e habitshme të mos dënohej.
Se mëshira dhe zemërimi i takojnë atij,
është i fuqishëm në falje dhe zbraz zemërimin.
12Sa është e madhe mëshira e tij,
aq është i rëndë qortimi i tij.
E gjykon njeriun sipas veprave të veta.
13Nuk shpëton mëkatari me mallin e rrëmbyer,
as zhgënjehet besimtari i duruar.
14Ai i bën vend çdo përdëllimi,
secili do të marrë sipas veprave të veta.
15[Zoti e ngurtësoi faraonin, që të mos e njihte,
por të njiheshin nën qiell veprat e tij.
16Mëshira e tij i shfaqet mbarë krijimit,
qartas e ka ndarë dritën nga errësira.]
17Mos thuaj: «Do t'i fshihem Zotit.
Kush do të kujtohet për mua atje lart?
Jam i panjohur në mes të turmës së madhe,
çfarë qenkam unë në krijimin e pamasë?».
18Ja, qielli e qielli i qiellit,
humnera e toka dridhen kur vjen ai.
19Edhe malet e themelet e tokës
shkunden e dridhen nga një shikim i tij.
20Nuk ka mendje që t'i rrokë këto,
e kush mund t'i kuptojë udhët e tij?
21Siç nuk ka njeri që sheh furtunën,
ashtu janë të fshehta veprat e tij të shumta.
22Kush i shpall veprat e drejtësisë së tij?
Kush mund të durojë? Larg është vendimi i tij.
23Kështu mendon mendjeshkurti,
i padituri dhe udhëhumburi mendojnë marrëzira.
Vepra e Zotit24Dëgjomë mua, o bir, e mëso dijen,
mbaji në zemër fjalët e mia.
25Do të ta jap mësimin me masë,
dijen do të ta kumtoj me përpikëri.
26Kur Zoti i krijoi veprat në fillim,
ua caktoi vendin sapo i bëri.
27U caktoi një rend të përhershëm veprave të veta,
parimet e tyre mbeten brez pas brezi.
As i zë uria, as i lodh mundi,
ndonëse punën nuk e lënë.
28Nuk bien ndesh me njëra-tjetrën,
kurrë nuk e shpërfillin fjalën e tij.
29Pastaj Zoti shikoi e vështroi tokën
dhe e mbushi me begatitë e veta,
30ia mbuloi faqen me të gjitha gjallesat
e tek ajo kthehen sërish.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.