Judita 12 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Judita në fushimin e Olofernit

1Atëherë Oloferni urdhëroi ta çonin tek enët e argjendta, t'i jepnin të hante ushqimet e tij e të pinte verën e tij,

2por Judita tha: «Nuk do t'i ha, që të mos bëhem pengesë, prandaj të më shërbehen ato që kam sjellë me vete».

3Oloferni iu përgjigj: «Kur të mbarosh çfarë ke marrë me vete, ku mund të marrim për ty ushqime të tilla? Nuk kemi askënd nga fisi yt ndër ne».

4Judita i tha: «Pasha jetën tënde, imzot, shërbëtorja jote nuk do t'i sosë gjërat që ka marrë me vete para se Zoti të kryejë me dorën time çfarë ka vendosur ai».

5Atëherë kujdestarët e Olofernit e çuan te tenda dhe ajo fjeti deri në mesnatë. Rreth kohës së rojës së agimit u ngrit

6dhe i çoi këtë fjalë Olofernit: «Le të urdhërojë imzot ta lejojnë shërbëtoren tënde të dalë për t'u lutur».

7Oloferni i urdhëroi truprojat e tij të mos e pengonin. Ajo ndenji në fushim tri ditë. Çdo natë dilte në luginën e Betulisë dhe lahej te burimi i fushimit.

8Pasi lahej, i lutej Zotit, Perëndisë së Izraelit, që t'ia drejtonte udhën, për t'u dhënë fitoren bijve të popullit të tij.

9Pastaj kthehej e pastër dhe rrinte në tendë deri kur hante ushqimin e vet nga mbrëmja.

Gostia e Olofernit

10Ditën e katërt Oloferni shtroi një gosti vetëm për shërbëtorët e vet, pa ftuar asnjë zyrtar.

11Ai i tha Bagoasit, eunukut që kujdesej për të gjitha punët e tij: «Shko e binde gruan hebreje, që është te ti të vijë me ne, që të hajë e të pijë me ne.

12Do të ishte çnderim po ta linim një grua të tillë të largohej pa shkuar me të. Po të mos e ngacmojmë, do të na përçmojë».

13Bagoasi doli nga Oloferni, hyri tek ajo e i tha: «Të mos ngurrojë kjo çupëlinë bukuroshe të vijë tek imzot e të nderohet me praninë e tij, të pijë verë me ne me ngazëllim e të jetë sot si një grua asiriane që shërben në pallatin e Nabukodonosorit».

14Judita iu përgjigj: «Kush jam unë që ta kundërshtoj timzot? Gjithçka i pëlqen atij do ta kryej pa ngurrim. Kjo do të më japë gëzim deri ditën kur të vdes».

15Ajo u ngrit, u vesh bukur dhe vuri të gjitha stolitë femërore. Shërbëtorja e saj kishte shkuar përpara dhe i kishte shtrirë përdhe, kundruall Olofernit, shtrojat që i kishte dhënë Bagoasi për përdorim të përditshëm, që të hante e shtrirë mbi to.

16Judita hyri dhe u shtri. Olofernit i gulçoi zemra prej saj, iu trazua shpirti dhe e pushtoi një dëshirë e fortë për të shkuar me të. Ai kishte pritur rastin për ta joshur që ditën kur e kishte parë.

17Oloferni i tha: «Pi e gëzohu me ne!».

18Judita iu përgjigj: «Do të pi, imzot, se sot jeta ime u bë e madhërishme më shumë se çdo ditë tjetër që kur kam lindur».

19Dhe hëngri e piu para tij çfarë i kishte përgatitur shërbëtorja.

20Oloferni u kënaq me të dhe piu aq shumë verë sa nuk kishte pirë asnjë ditë tjetër që kur kishte lindur.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help