2 Mbretërve 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Mbretërimi i Jehoahazit në Izrael

1Në vitin e njëzetetretë të mbretërimit të Joashit, birit të Ahazjahut, në Judë, Jehoahazi, biri i Jehut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Samari.

2Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk hoqi dorë së bëri të njëjtat mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat.

3Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe Zoti i dorëzoi për shumë kohë te Hazaeli, mbreti i Aramit, dhe te Hadadi, biri i Hazaelit.

4Por Jehoahazi iu përgjërua Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa sesi mbreti i Aramit e shtypte Izraelin.

5Kështu, Zoti i dërgoi Izraelit një çlirimtar. Populli i Izraelit shpëtoi nga zgjedha e Aramit dhe izraelitët banuan nëpër tendat e tyre si më parë.

6E megjithatë ata nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhduan të mëkatojnë. Edhe shtylla e Asherasë mbeti e paprekur në Samari.

7Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë luftëtarë këmbësorie, sepse të tjerët i kishte vrarë mbreti i Aramit e i kishte shtypur si pluhurin nën këmbë.

8Bëmat e tjera të Jehoahazit, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

9Jehoahazi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joashi.

Mbretërimi i Joashit në Izrael

10Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari.

11Joashi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte.

12Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

13Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit.

Vdekja e Eliseut

14Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!».

15Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori.

16Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit.

17Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të Zotit! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje».

18Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal.

19Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë».

20Eliseu vdiq dhe e varrosën. Çdo fillim viti vinin kusarë nga Moabi për të plaçkitur.

21Një ditë, disa po varrosnin një të vdekur, kur ia behën kusarët. Atëherë ata e hodhën kufomën në varrin e Eliseut dhe ikën. Kur i vdekuri preku eshtrat e Eliseut, u ngjall dhe u ngrit më këmbë.

22Hazaeli, mbreti i Aramit, e mbajti të shtypur Izraelin gjatë gjithë sundimit të Jehoahazit.

23Por Zoti pati mëshirë e i erdhi keq për ta, prandaj u kthye tek ata për hir të besëlidhjes që kishte bërë me Abrahamin, Isakun e Jakobin, dhe nuk deshi t'i shkatërronte e as t'i dëbonte larg pranisë së tij.

24Hazaeli, mbreti i Aramit, vdiq dhe në vend të tij mbretëroi Ben Hadadi, i biri.

25Jehoashi, biri i Jehoahazit, ia mori përsëri Ben Hadadit qytetet, që ai i kishte marrë Jehoahazit, atit të vet. Jehoashi e mposhti tri herë Ben Hadadin dhe ia ktheu sërish qytetet Izraelit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help