Urtia 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Urtia në shekuj

1Urtia e ruajti atin e botës,

njeriun e parë, që u krijua i vetëm,

e çliroi prej shkeljes së tij.

2I dha fuqi

të zotëronte gjithçka.

3Por i padrejti u largua i zemëruar prej saj,

u zhbi prej zemërimit vëllavrasës.

4Prej tij erdhi përmbytja e tokës

e përsëri e shpëtoi urtia.

Një dru i pavlerë

e lundroi të drejtin.

5Kur kombet u mblodhën me ligësi e u pështjelluan,

urtia e njohu të drejtin

dhe e ruajti të panjollë para Perëndisë,

e bëri më të fortë se dhembshuria për të birin.

6E shpëtoi të drejtin kur të pafetë fundoseshin,

ai i iku zjarrit që zbriti mbi pesë qytetet.

7Ka mbetur dëshmia e ligësisë:

shkretëtira që ende nxjerr tym,

bimët që nuk lidhin fryte në kohën e pjekjes,

dhe shtylla e kripës, përkujtimore e shpirtit të pabesë.

8E nëpërkëmbën urtinë

e u penguan të njihnin të mirën,

u bënë përkujtimore e marrëzisë së tyre,

që gabimet të mos u harrohen.

9Por ata që i shërbyen,

urtia i shëroi nga çdo mundim.

10Të drejtin që ikte nga zemërimi i të vëllait

ajo e drejtoi në shtigje të drejta;

i tregoi mbretërinë e Perëndisë,

e mësoi të njohë gjërat e shenjta;

i dha begati në mundime

e ia shumoi frytet e mundit.

11E ruajti nga lakmia e shtypësve

dhe e pasuroi.

12E mbrojti nga armiqtë

dhe e shpëtoi nga ata që i ngritën kurth;

në betejën e vështirë e nxori fitimtar,

që të mësonte se shpresëtaria është më e fortë se gjithçka.

13Nuk e braktisi të drejtin që u shit skllav,

por e shpëtoi nga mëkatet.

14Zbriti në gropë bashkë me të,

kur ishte në pranga, nuk e braktisi,

i dha skeptrin mbretëror

dhe pushtetin mbi sunduesit e dikurshëm;

i nxori të rreme paditë ndaj tij,

i dha lavdi të amshuar.

15Popullin besnik dhe farën e panjollë

e shpëtoi nga kombet që e shtypnin.

16Hyri në shpirtin e shërbëtorit të Zotit,

u bëri ballë mbretërve të frikshëm me mrekulli e shenja.

17Besnikët i shpërbleu sipas mundit të tyre,

u priu në udhën e mrekullueshme,

u bë për ta mbulojë gjatë ditës

dhe yll shkëlqimtar gjatë natës.

18I kaloi përtej detit të Kuq,

i udhëhoqi përmes ujërave të shumtë.

19Armiqtë e tyre i përmbyti,

por ata i nxori nga humnera në tokë të thatë.

20Prandaj të drejtët i bastisën të pafetë

dhe emrin tënd të shenjtë himnuan, o Zot,

njëzëri lavdëruan krahun tënd ngadhënjyes.

21Urtia ua çeli gojën memecëve,

fëmijëve ua bëri gjuhën të qartë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help