Zbulesa 12 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Gruaja dhe dragoi

1Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje.

2Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.

3Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla.

4Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.

5Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij.

6Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

7Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij,

8por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell.

9Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij.

10Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:

«Tani erdhi shpëtimi, fuqia

e mbretëria e Perëndisë tonë

dhe pushteti i Krishtit të tij.

Paditësi i vëllezërve tanë,

ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,

u hodh poshtë.

11Ata e mundën me gjakun e Qengjit

e me fjalën e dëshmisë së tyre

dhe ishin gati

të jepnin jetën e të vdisnin.

12Prandaj, gëzohuni, o qiej

e ju që banoni atje!

Mjerë ju, o tokë e det,

se djalli zbriti te ju

me zemërim të madh,

duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».

13Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën.

14Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.

15Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha.

16Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja.

17Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin.

18Ai mbeti mbi rërën e detit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help