Psalmet 105 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,

shpallni mes popujve veprat e tij.

2Këndojini atij e thurini lavde,

kumtoni gjithë mrekullitë e tij.

3Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,

u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin.

4Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,

kërkojeni përherë fytyrën e tij.

5Kujtoni mrekullitë që bëri,

çuditë dhe gjykimet e gojës së tij,

6o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij,

o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.

7Ai është Zoti, Perëndia ynë;

mbi mbarë dheun vendimet e tij.

8Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij,

fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,

9besëlidhjen që bëri me Abrahamin,

premtimin që i dha Isakut.

10Ia caktoi si rregull Jakobit,

Izraelit si besëlidhje përjetë,

11kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit

si pjesë të trashëgimisë suaj»,

12kur ishin të hequr në numër,

të paktë e ardhacakë,

13tek endeshin nga një komb te tjetri,

nga një mbretëri te një tjetër popull.

14Nuk lejoi t'i shtypte askush,

mbretërit për hir të tyre qortoi:

15«Mos m'i prekni të vajosurit,

profetët e mi mos i lëndoni».

16Urinë solli në atë vend,

theu çdo enë buke.

17Dërgoi para tyre një njeri,

Jozefin, që u shit si skllav.

18Me pranga ia shtrënguan këmbët,

hekura i vunë rreth qafës,

19derisa u përmbush fjala e tij,

fjala e Zotit e sprovoi atë.

20I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin,

sunduesi i popujve e la të lirë.

21Zot të shtëpisë së tij e bëri,

sundues mbi gjithë zotërimin e tij,

22që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij

e t'u mësonte pleqve urtinë.

23Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt,

Jakobi u vendos në tokën e Kamit.

24Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet,

më të fortë se armiqtë e tij e bëri.

25Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve,

që popullin e tij ta urrenin,

që kundër shërbëtorëve të tij

me dredhi të silleshin.

26Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij,

Aronin, që vetë e kishte zgjedhur.

27Kryen mes tyre shenjat e tij,

mrekullitë në tokën e Kamit.

28Dërgoi errësirën e u bë terr,

fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush.

29Ujërat ua ktheu në gjak,

peshqit i ngordhi.

30Vendi i tyre gëloi me bretkosa,

deri edhe në dhomat e mbretërve.

31Foli Zoti e u vërsulën mori mizash,

mushkonjat mbarë trojet mbuluan.

32U dërgoi breshër në vend të shiut,

flakë zjarri mbi vendin e tyre.

33Ua goditi vreshtat e fiqtë,

pemët e tokave të tyre i theu.

34Foli dhe ia behën karkalecat,

vemje, që s'kishin të numëruar.

35Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit,

prodhimet e tokës ua përpinë.

36Goditi gjithë të parëlindurit e vendit,

frytin e parë të pjellorisë së tyre.

37I nxori izraelitët me argjend e me ar,

ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur.

38U gëzua Egjipti kur ata u nisën,

se i kishte zënë tmerri prej tyre.

39Renë shtriu për t'i mbuluar,

zjarrin për t'u bërë dritë natën.

40Kërkuan e shkurta u dërgoi,

me bukë prej qiellit i ngiu.

41Çau shkëmbin e buruan ujëra,

lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë.

42I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë,

që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë.

43Popullin e vet e nxori me ngazëllim,

plot gëzim të zgjedhurit e tij.

44Tokat e kombeve u dha,

mundin e popujve trashëguan,

45që të mbajnë rregullat e tij

e të zbatojnë ligjet e tij.

Aleluja!

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help