Tobia 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Udhëtimi për në Rages

1Djali u nis dhe engjëlli shkoi me të. Edhe qeni doli me ta dhe eci me ta. Ecën të dy bashkë dhe kur i zuri nata e parë e kaluan buzë lumit Tigër.

2Djali zbriti të lante këmbët në lumin Tigër, por një peshk i madh kërceu nga uji dhe deshi t'i hante këmbën djalit. Ai lëshoi një britmë,

3por engjëlli i tha: «Kape peshkun dhe mbaje!». Djali e mbajti peshkun dhe e nxori në tokë.

4Engjëlli i tha: «Çaja barkun peshkut, nxirrja tëmthin, zemrën e mëlçinë dhe ruaji, kurse të tjerat hidhi. Tëmthi, zemra dhe mëlçia janë barna të dobishme».

5Djali e çau peshkun dhe i nxori tëmthin, zemrën dhe mëlçinë. Një pjesë të peshkut e poqi dhe e hëngri, kurse pjesën tjetër e kripi për ta ruajtur.

6Pastaj udhëtuan të dy bashkë derisa iu afruan Medës.

7Atëherë djali e pyeti engjëllin: «Vëlla Azarjah, çfarë bari ka zemra, mëlçia dhe tëmthi i peshkut?».

8Engjëlli iu përgjigj: «Zemrën dhe mëlçinë e peshkut mund ta djegësh para ndonjë burri ose gruaje të pushtuar nga djalli apo nga fryma e ligë dhe i ikën çdo pikëllim e nuk e zë më asnjëherë.

9Me tëmthin mund t'i lyesh sytë njeriut që i kanë zënë cipa të bardha, mund të frysh mbi ta, mbi cipat e bardha, dhe i shërohen».

10Kur hynë në Medë dhe po i afroheshin Ekbatanës,

11Rafaeli i thotë djaloshit Tobia: «Vëlla». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». Atëherë i tha: «Këtë natë do të bujmë te Ragueli. Ai njeri është i afërmi yt dhe ka një vajzë me emrin Sara.

12Ai nuk ka as djalë, as vajzë përveç Sarës. Ti je i afërmi i saj dhe mund ta marrësh në trashëgim para kujtdo tjetër. Ke të drejtë të trashëgosh edhe të gjithë pasurinë e atit të saj. Vajza është e urtë, e aftë dhe shumë e bukur. Edhe i ati është i mirë».

13Dhe i tha: «Të drejtën ta marrësh për grua e ke ti. Dëgjomë, vëlla. Sonte do t'i flas të atit për vajzën, që të martohet me ty, të kthehemi në Rages e t'i bëjmë dasmën. E di se Ragueli nuk mund të ta mohojë apo t'ia premtojë tjetërkujt, sepse dënohet me vdekje, sipas gjykimit të librit të Moisiut. Dihet se të takon ty të trashëgosh vajzën, para çdo njeriu tjetër. Tani dëgjomë, vëlla. Sonte do të flasim për këtë vajzë dhe do ta fejojmë me ty. Kur të kthehemi në Rages, do ta marrim me vete dhe do ta çojmë në shtëpinë tënde».

14Atëherë Tobia iu përgjigj Rafaelit: «Vëlla Azarjah, kam dëgjuar se asaj vajze i kanë dhënë tashmë shtatë burra dhe kanë vdekur në dhomën e nusërisë. Atë natë që shkonin tek ajo, vdisnin. Kam dëgjuar të thonë se i vriste një demon.

15Tani trembem edhe unë, se demoni nuk i bën keq asaj, por vret këdo që i afrohet. Im atë më ka bir të vetëm, prandaj nuk dua të vdes dhe ta shtie në varr tim atë e nënën time nga dhimbja për mua. Nuk kanë tjetër bir që t'i varrosë».

16Por engjëlli i tha: «A nuk të kujtohen porositë e atit tënd, që të urdhëroi të marrësh grua nga shtëpia e atit tënd? Tani, dëgjomë, vëlla. Mos e mbaj mendjen te demoni dhe merre vajzën. Unë e di se sonte do të të jepet për grua.

17Kur të futesh në dhomën e nusërisë, merr pak nga mëlçia e peshkut e nga zemra dhe vëri në hirin e temjanicës. Kur t'i dalë era, demoni do ta nuhasë, do të ikë e nuk do t'i qaset kurrë më asaj.

18Kur të bëheni gati për të rënë bashkë në shtrat, në fillim çohuni të dy dhe lutjuni Zotit të qiellit, që t'ju japë mëshirë e shpëtim. Mos ki frikë, se ajo është caktuar për ty që para krijimit të botës. Ti do ta shpëtosh dhe ajo do të vijë me ty. Unë pandeh se do të kesh fëmijë prej saj dhe do t'i kesh si vëllezër. Mos hyr në mendime».

19Kur Tobia e dëgjoi fjalën e Rafaelit, se vajza ishte motra e tij nga fara e shtëpisë së të atit, e deshi fort dhe e pati për zemër.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help