1Në kohën e mbretërimit të Asahardonit u ktheva në shtëpi. Më kthyen edhe Anën, gruan time, dhe Tobitin, tim bir. Për Rrëshajë, që është festa jonë e shenjtë e shtatë javëve, më përgatitën një haje të mirë dhe u ula të haja.
2Tryeza ishte shtruar për mua dhe më kishin vënë para gjellë të shumta. Atëherë i thashë Tobisë, tim biri: «Bir, shko dhe, nëse gjen ndonjë skamnor ndër vëllezërit tanë të shpërngulur ndër ninivitë, që kujtohet për Perëndinë me gjithë zemër, sille të hajë bashkë me mua. Shko, se të pres, bir, derisa të kthehesh».
3Tobia shkoi të kërkonte ndonjë skamnor ndër vëllezërit tanë. Kur u kthye, thirri: «Atë!». Iu përgjigja: «Ja ku jam, bir». Ma ktheu: «Atë, ja, kanë vrarë një prej kombit tonë, e kanë hedhur në shesh dhe është aty, i mbytur».
4Brofa dhe e lashë gjellën pa e shijuar ende. Mora kufomën dhe e fsheha, që ta varrosja pasi të perëndonte dielli.
5Kur u ktheva, u lava dhe e hëngra bukën në zi.
6M'u kujtua fjala e profetit, ajo që kishte thënë Amosi kundër Betelit:
«Festat do t'ju kthehen në zi
dhe të gjitha këngët tuaja në vaj».
Dhe qava.
7Kur perëndoi dielli, shkova, hapa një varr dhe e varrosa.
8Të afërmit më përqeshnin e thoshin: «Prapë nuk trembet. Desh e vranë për këtë veprim, prandaj pati ikur, e tani përsëri varros të vdekurit».
9Atë natë u lava, hyra në treme e fjeta te muri i tremes me fytyrën zbuluar për shkak të vapës.
10Nuk e dija se në mur kishte harabela përmbi mua. Glasat e tyre të ngrohta më ranë në sy dhe më vunë një cipë të bardhë. Shkova tek mjekët që të shërohesha, por, sa më shumë m'i lyenin me barna, aq më shumë më visheshin sytë me cipën e bardhë, derisa u verbova. Mbeta katër vjet pa forcën e syve. Të gjithë vëllezërve të mi u vinte keq për mua. Ahihari u kujdes për mua dy vjet, para se të shkonte në Elimaidë.
11Në atë kohë Ana, gruaja ime, bënte punë grash me mëditje.
12U dërgonte mallin të zotëve dhe ata i jepnin shpërblimin. Ditën e shtatë të muajit Distër e preu pëlhurën dhe ua dërgoi të zotëve. Ata i dhanë tërë shpërblimin e i dhanë edhe një kec.
13Kur erdhi tek unë, keci filloi të blegërinte. Atëherë e thirra dhe e pyeta: «Nga vjen ky kec? Mos është i vjedhur? Kthejua të zotëve. Nuk kemi të drejtë të hamë asgjë të vjedhur».
14Ajo më tha: «Ma dhanë dhuratë me pagën». Nuk i besova e i thashë t'ua kthente të zotëve. U zemërova me të për shkak të kësaj. Por ajo m'u përgjigj e më tha: «Ku janë lëmoshët e tua? Ku janë veprat e tua të drejta? Shihet e dihet ç'të ka ndodhur!».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.