2 Makabenjve 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Jeremia fsheh sendet e shërbesës

1Ndër shkrime thuhet se profeti Jeremi i kishte urdhëruar të shpërngulurit ta merrnin zjarrin që u përmend,

2dhe se profeti u kishte dhënë ligjin të shpërngulurve dhe i kishte porositur të mos i harronin urdhërimet e Zotit, që të mos u birrej mendja kur të shihnin idhujt e artë e të argjendtë me stolitë e tyre.

3Ai i kishte porositur edhe me fjalë të tjera të ngjashme që të mos e largonin ligjin nga zemrat.

4Në atë shkrim thuhej se profeti kishte marrë kumtin e kishte urdhëruar ta ndiqnin tenda dhe arka. Kur kishte mbërritur në malin ku ishte ngjitur Moisiu dhe kishte parë trashëgiminë e Perëndisë,

5Jeremia kishte shkuar e kishte gjetur një shpellë banimi. Atje kishte vënë tendën, arkën e altarin e temjanit dhe kishte mbyllur hyrjen.

6Disa nga ata që e kishin ndjekur ishin kthyer për ta shënuar udhën, por nuk e kishin gjetur dot.

7Kur Jeremia e kishte marrë vesh, i kishte qortuar e u kishte thënë: «Vendi do të mbetet i panjohur derisa Perëndia ta bashkojë sërish popullin e të tregojë mëshirë».

8Atëherë Zoti do t'i zbulojë këto e do të shfaqet lavdia e Zotit dhe reja, siç i qe dëftuar Moisiut dhe siç kishte ndodhur kur Solomoni ishte lutur që vendi të shenjtërohej madhërisht.

9Tregohej edhe se, plot urti, Solomoni kishte kushtuar fli për shugurimin dhe përfundimin e tempullit.

10Siç i ishte lutur Zotit Moisiu dhe zjarri kishte zbritur prej qiellit e kishte djegur flitë, njësoj ishte lutur edhe Solomoni dhe zjarri kishte zbritur e kishte djegur flitë.

11Moisiu kishte thënë: «Flija për mëkatin u dogj, sepse nuk ishte ngrënë».

12Po ashtu Solomoni kremtoi për tetë ditë.

Librat e Nehemisë

13Të njëjtat gjëra tregohen edhe në shkrimet e në kujtimet e Nehemisë dhe si ai ndërtoi një bibliotekë e mblodhi librat që flisnin për mbretërit e profetët, librat e Davidit dhe letrat e mbretërve për kushtimet.

14Edhe Juda mblodhi të gjithë librat që kishin humbur për shkak të luftës dhe i kemi ne.

15Prandaj, po të keni nevojë, dërgoni njerëzit e ngarkuar nga ju.

16Po ju shkruajmë ndërsa po përgatitemi për të kremten e Pastrimit. Do të ishte mirë t'i mbanit edhe ju këto ditë.

17Perëndia e shpëtoi mbarë popullin e vet e ua dha të gjithëve trashëgiminë, mbretërinë, priftërinë e shenjtërimin,

18siç e kishte premtuar me anë të ligjit. Shpresojmë se Perëndia shpejt do të ketë mëshirë për ne e do të na mbledhë, prej kudo nën qiell, në vendin e shenjtë, se ai na liroi nga të këqijat e mëdha dhe e pastroi vendin.

Parathënia e shkrimtarit

19Ngjarjet rreth Judë Makabeut dhe vëllezërve të tij, rreth pastrimit të tempullit të madh, kushtimit të altarit

20rreth luftrave kundër Antiok Epifanit dhe të birit të tij, Eupatorit,

21rreth zbulimeve që erdhën prej qiellit mbi ata që luftuan trimërisht për judaizmin, plaçkitën tërë vendin, megjithëse ishin pak vetë, dëbuan hordhitë barbare,

22rimorën tempullin e njohur në mbarë botën, çliruan qytetin dhe vunë ligjet që po zhbëheshin, se Zoti me tërë mirësinë e vet u tregua i mëshirshëm me ta,

23ngjarjet e treguara nga Jasoni i Kirenës në pesë libra, do të përpiqemi t'i përpilojmë në një përmbledhje.

24Duke parë morinë e numrave dhe vështirësinë që i pret ata që dëshirojnë t'i hyjnë tregimit të historisë, për shkak të lëndës së shumtë,

25jemi përpjekur t'u japim kënaqësi atyre që dëshirojnë të lexojnë, lehtësi atyre që dëshirojnë të mbajnë mend e dobi të gjithë lexuesve.

26Për ne, që kemi marrë përsipër mundin e përmbledhjes, nuk është e lehtë, se kjo punë kërkon djersë e pagjumësi,

27sikurse nuk e ka të lehtë të plotësojë kërkesat e të tjerëve ai që përgatit një gosti. Megjithatë, për hir të mirënjohjes së shumë vetëve, do ta durojmë me gëzim këtë mund,

28duke ia lënë hollësitë shkrimtarit dhe duke u përpjekur të përpilojmë një përmbledhje të përgjithshme.

29Sikurse për ndërtimin e një shtëpie të re i takon arkitektit të mendojë për të gjithë ndërtesën, ndërsa ai që merret me lyerjet e vizatimet kujdeset vetëm për zbukurimin, më duket se njësoj ndodh edhe me ne.

30Shqyrtimi i ngjarjeve dhe përshkrimi i ndodhive me hollësi, i takon historianit burimor,

31por atij që harton tregimin i takon t'i bjerë shkurt e të mos merret me të dhëna të hollësishme.

32Le ta fillojmë këtu tregimin, pa u shtuar më shumë atyre që janë thënë, se do të ishte marrëzi po të zgjasnim parathënien e të shkurtonim historinë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help