1Zoti e krijoi njeriun nga dheu
dhe e kthen sërish në të.
2U caktoi ditë të numëruara e njëfarë kohe
u dha pushtet mbi çfarë ka në të.
3I veshi me një fuqi si të vetën,
i bëri sipas shëmbëllimit të vet.
4Vendosi drojën prej tij tek çdo gjallesë,
e bëri sundimtar mbi egërsira e mbi shpendë.
5Ata morën pesë shqisat e Zotit,
u dha edhe të gjashtën, dhuratën e mendjes
dhe të shtatën, arsyen, që shpjegon veprimet.
6Gjykimin, gjuhën, sytë,
veshët e zemrën ua dha, që të mendonin.
7I mbushi me dituri e dije,
u dëftoi të mirën e të keqen.
8U dha syrin e vet zemrave të tyre,
për t'u dëftuar madhështinë e veprave të veta.
9[I bëri krenar për veprat e tij në amshim.]
10Do t'i këndojnë emrit të tij të shenjtë
për të treguar madhështinë e veprave të tij.
11I pajisi me dituri,
u caktoi ligjin e jetës.
12Lidhi me ta një besëlidhje të amshuar,
u dëftoi gjykimet e veta.
13Lavdinë e tij madhështore e panë sytë e tyre,
veshët e tyre dëgjuan lavdinë e zërit të tij.
14Ai u tha: «Ruhuni nga çdo padrejtësi!»,
u dha urdhërime në lidhje me të afërtin.
15Udhët e tyre i ka gjithmonë parasysh,
nuk fshihen dot nga sytë e tij.
16[Udhët e tyre priren kah e keqja që në rini,
nuk përftojnë dot një zemër mishi në vend të zemrës prej guri.
17Se kur ndau kombet e mbarë tokës,]
ai caktoi që çdo kombi t'i printe një udhëheqës,
por Izraeli të ishte hisja e Zotit.
18[E ka të parëlindur dhe e rrit me qortime,
i jep dritën e dashurisë
e nuk e lë pas dore.]
19Tërë veprat e tyre janë si dielli para tij,
sytë nuk ia ndan udhëve të tyre.
20Padrejtësitë e tyre nuk fshihen para tij,
të gjitha mëkatet e tyre janë para Zotit.
21[Zoti i mëshirshëm, që e di si janë krijuar,
s'i la e s'i braktisi, por i kurseu.]
22Lëmosha e njeriut është si vulë me Zotin,
e ruan mirësinë e njeriut porsi beben e syrit.
23Në fund do të ngrihet e do t'i shpërblejë,
do t'i japë secilit shpërblimin.
24Të penduarit i kthen,
durimsosurit i nxit.
25Kthehu te Zoti e lëri mëkatet,
lutu para tij, që të të zbritet gabimi.
26Kthehu te i Tejlarti dhe shmang padrejtësinë,
ndyrësinë urreje fort.
27Kush do t'i këndojë të Tejlartit në skëterrë
përveç të gjallëve që i janë mirënjohës?
28Të vdekurit dhe të paqenit i është shuar falënderimi,
Zotit i këndon i gjalli e shëndetploti.
29Sa e madhe është mëshira e Zotit
dhe falja e atyre që tek ai kthehen!
30Njerëzit nuk mund të bëjnë gjithçka,
se njeriu nuk është i pavdekshëm.
31Çfarë ndriçon më shumë se dielli?
Edhe ai zbehet.
Edhe mishi e gjaku mendojnë të keqen.
32Fuqitë e larta qiellore i mbikëqyr,
por të gjithë njerëzit janë pluhur e hi.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.