1 Mbretërve 21 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Vreshti i Nabotit

1Pas këtyre ngjarjeve ndodhi kështu: Nabot Izreliti kishte një vresht në Izrel, pranë pallatit mbretëror të Ahabit, mbretit të Samarisë.

2Ahabi i tha Nabotit: «Ma jep mua vreshtin për pronë, që ta bëj kopsht perimesh, sepse e kam pranë shtëpisë. Në këmbim të jap një vresht më të mirë, ose, po të duash, të jap aq para sa vlen».

3Naboti i tha Ahabit: «Mos e dhëntë Zoti të të jap trashëgiminë e të parëve të mi!».

4Ahabi u kthye në shtëpi i pikëlluar e i zemëruar nga fjalët e Nabot Izrelitit, që i kishte thënë se nuk do t'ia jepte trashëgiminë e të parëve. Ahabi ra në shtrat, u kthye nga muri dhe nuk hëngri as bukë.

5Atëherë Izebela, e shoqja, shkoi tek ai dhe e pyeti: «Përse je kaq i pikëlluar e nuk ha bukë?».

6Ahabi i tha: «Fola me Nabot Izrelitin dhe i kërkova vreshtin për t'ia blerë me para, ose t'ia këmbeja me një vresht tjetër, po të donte, por ai më tha se nuk donte të ma jepte vreshtin».

7Izebela, e shoqja, i tha: «Ç'bën kështu? A nuk je mbreti i Izraelit? Ngrihu e ha dhe mos të të pikëllohet zemra. Vreshtin e Nabot Izrelitit do të ta jap unë».

8Izebela shkroi disa letra në emër të Ahabit, i vulosi me vulën e tij dhe ia nisi pleqësisë dhe fisnikëve të qytetit ku banonte Naboti.

9Ajo shkroi: «Shpallni një agjërim dhe caktoni Nabotin t'i prijë popullit.

10I vini përballë dy njerëz të poshtër të dëshmojnë kundër tij e të thonë se Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin. Mandej nxirreni jashtë qytetit dhe vriteni me gurë».

11Pleqësia, fisnikët dhe banorët e qytetit, ku banonte Naboti, bënë siç i kishte urdhëruar Izebela dhe siç ishte shkruar në letrat që kishte dërguar ajo.

12Shpallën agjërimin dhe caktuan Nabotin në krye të popullit.

13Dy njerëz të poshtër erdhën dhe u ulën përballë tij. Ata dëshmuan kundër tij para popullit e thanë: «Naboti ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin». Atëherë e nxorën Nabotin nga qyteti dhe e vranë me gurë.

14Mandej i dërguan fjalë Izebelës dhe i thanë se Naboti ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur.

15Kur Izebela mori lajmin e vrasjes me gurë të Nabotit, i tha Ahabit: «Shko e merre për pronë vreshtin e Nabot Izrelitit, i cili nuk donte të ta shiste. Naboti nuk është më gjallë, vdiq».

16Kur Ahabi dëgjoi se Naboti kishte vdekur, u ngrit, shkoi te vreshti i Nabot Izrelitit dhe e mori në pronësi.

Elia dënon Ahabin

17Ndërkohë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha:

18«Ngrihu e shko në Samari të takosh Ahabin, mbretin e Izraelit. Ja, do ta gjesh te vreshti i Nabotit, që Ahabi ka shkuar ta marrë në pronësi.

19Do të flasësh me të e do t'i thuash: “Kështu thotë Zoti: vrave e tani po plaçkit?”. Mandej thuaji: “Kështu thotë Zoti: në vendin ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të lëpijnë edhe gjakun tënd”».

20Ahabi i tha Elisë: «Më gjete, o armiku im?». Elia i tha: «Të gjeta, sepse shite shpirtin për të bërë ligësi në sytë e Zotit.

21Do të sjell fatkeqësi mbi ty dhe do t'i zhduk e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e shtëpisë së Ahabit në Izrael, skllevër apo të lirë.

22Do ta bëj shtëpinë tënde si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe si shtëpinë e Bashait, birit të Ahijahut, sepse ke shkaktuar zemërim e ke shtyrë në mëkat Izraelin.

23Sa për Izebelën, qentë do ta hanë trupin e saj në fushat e Izrelit, thotë Zoti.

24Qentë do t'i hanë ata të shtëpisë së Ahabit, që do të vdesin në qytet, dhe grabitqarët e qiellit ata që do të vdesin nëpër ara».

Pendimi i Ahabit

25Në të vërtetë, para Ahabit askush nuk e kishte shitur shpirtin si ai, për të bërë çka është keq në sytë e Zotit, por e nxiti Izebela, gruaja e tij.

26Ahabi bëri gjëra shumë të pështira dhe u dha pas idhujve, ashtu siç kishin bërë amoritët, që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve.

27Kur dëgjoi fjalët e Elisë, Ahabi shqeu rrobat, u vesh me grathore dhe agjëroi. Flinte i veshur me grathore dhe ecte kokulur.

28Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Eli Tishbitit e i tha:

29«A e ke parë sa është përulur Ahabi para meje? Për hir të përuljes së tij para meje, nuk do ta dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e tij sa të jetë ai gjallë, por do ta sjell gjatë mbretërimit të të birit».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help