Tobia 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Kënga e Tobitit

1Atëherë Tobiti tha:

2«Bekuar qoftë Perëndia, që jeton në amshim,

dhe mbretëria e tij,

se ai ndëshkon e mëshiron,

ai plandos në skëterrë, në skutat e tokës,

dhe ngre nga rrënimi i madh.

Asgjë nuk i shpëton dorës së tij.

3Kumtojeni atë, o bijtë e Izraelit, para kombeve,

se ai ju shpërndau ndër to.

4Edhe atje jua shfaqi madhështinë e tij,

prandaj lartësojeni para çdo gjallese,

se ai është Zoti e Perëndia ynë,

ai është Ati ynë, Perëndi në amshim.

5Ai do t'ju ndëshkojë për padrejtësitë,

por do t'ju mëshirojë

mes tërë kombeve ku ju shpërndau.

6Kur të ktheheni tek ai me gjithë zemër e me gjithë shpirt,

e të silleni me të me vërtetësi,

ai do të kthehet kah ju,

e nuk do ta fshehë më fytyrën prej jush.

7Tani shikoni çfarë bëri me ju,

kumtojeni me plot gojën.

Bekojeni Zotin e drejtësisë,

lartësojeni mbretin e amshimit.

8Unë e lavdëroj në vendin e mërgimit,

i dëftoj një populli mëkatar forcën dhe madhështinë e tij.

Pendohuni, o mëkatarë, veproni drejt para tij,

se ndoshta ju do sërish dhe ju përdëllen.

9Unë e lartësoj Perëndinë tim,

mbretin e qiellit kremton shpirti im

dhe galdon për madhështinë e tij

10Le të flasin të gjithë e ta lëvdojnë në Jerusalem.

Jerusalem, qytet i shenjtë,

ai të ndëshkon për veprat e bijve të tu,

por do t'i mëshirojë sërish bijtë e të drejtëve.

11Lavdëroje Zotin si duhet,

bekoje mbretin e amshimit.

Sërish me gëzim do ta ndërtojë

tendën e vet te ti,

12dhe do t'i ngazëllejë te ti të gjithë të shpërngulurit,

do t'i dojë te ti të gjithë të mjeruarit,

për të gjitha breznitë në amshim.

13Një dritë do të vezullojë deri në tërë skajet e dheut,

kombe të shumta do të vijnë te ti prej së largu,

banorët e tërë skajeve të dheut do të vijnë

drejt banesës së emrit tënd të shenjtë,

me dhurata në duar për mbretin e qiellit.

Brez pas brezi do të ngazëllejnë në ty,

emri i qytetit të zgjedhur mbetet ndër brezni në amshim.

14Mallkuar të gjithë ata që të shajnë!

Mallkuar të gjithë ata që të rrënojnë,

që të shembin muret,

të shkatërrojnë kullat e të djegin banesat,

bekuar në amshim të gjithë ata që të druajnë.

15Atëherë shko e galdo me bijtë e të drejtëve,

se te ti do të mblidhen të gjithë

e do të bekojnë Zotin e amshimit.

Lum ata që të duan,

lum ata që do të gëzohen me paqen tënde.

16Lum të gjithë njerëzit që vajtuan për ty,

për të gjitha fatkeqësitë e tua.

Do të gëzohen për ty

dhe do ta shohin gëzimin tënd në amshim.

Shpirti im bekoje Zotin, mbretin e madh.

17Jerusalemi do të ndërtohet,

si qyteti i shtëpisë së tij për tërë amshimin.

Lum unë, po të mbetet një tepricë nga fara ime,

për të parë lavdinë tënde

e për të shpallur mbretin e qiellit.

Portat e Jerusalemit do të ndërtohen me safir e smerald,

me gurë të çmuar tërë muret e tua.

Kullat e Jerusalemit do të ndërtohen me ar,

mbajtëset e tyre me ar të kulluar,

sheshet e Jerusalemit do të shtrohen

me rubin e gurë Ofiri.

18Portat e Jerusalemit do të këndojnë këngë hareje

dhe në të gjitha shtëpitë e tij do të thonë:

“Aleluja! Bekuar Perëndia i Izraelit!”.

Të bekuarit do ta bekojnë emrin e shenjtë në amshim».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help