Sofonia 2 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Thirrje për pendesë

1«Eja, mblidhu,

o popull i pacipë,

2para se të merret vendimi

e dita të firojë porsi byku,

para se t'ju përcëllojë zemërimi i Zotit,

para se të vijë dita e zemërimit të Zotit.

3Kërkojeni Zotin, të gjithë ju të përvuajturit e tokës,

ju që mbani urdhërimet e tij.

Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë,

ndoshta do të gjeni strehë ku të fshiheni,

në ditën e zemërimit të Zotit.

4Gaza do të jetë e shkretë,

Ashkeloni do të rrënohet,

Ashdodi do të zbohet në mes të ditës,

Ekroni do të çrrënjoset.

5Mjerë banorët e bregdetit,

kombi i Keretit.

Fjala e Zotit është kundër teje,

o Kanaan, tokë filistine,

do të të zhbij e banorë s'do të kesh më.

6Bregdeti do të bëhet kullotë,

livadh barinjsh, vathë dhensh.

7Do t'i përkasë tepricës së shtëpisë së Judës,

që për kullota ta përdorin.

Në shtëpinë e Ashkelonit,

do të shtrihen në mbrëmje,

se Zoti, Perëndia i tyre, do të kujtohet për ta

e fatin do t'ua kthejë.

8E dëgjova përbuzjen e Moabit,

përqeshjen e bijve të Amonit,

kur e fyen popullin tim

e ia kërcënuan kufijtë.

9Ndaj, pasha jetën time,

kumton Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit,

Moabi do të bëhet si Sodoma,

bijtë e Amonit porsi Gomorra,

vend hithrash e gropë kripe,

shkreti e përhershme.

Tepricën e popullit tim do ta plaçkisin,

të mbeturit e kombit tim do t'i pushtojnë.

10Ky do të jetë shpërblimi i krenarisë së tyre,

se e përbuzën popullin e Zotit të ushtrive

dhe u mburrën para tij.

11I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre.

Ai do t'i mpakë gjithë perënditë e tokës.

Zotin do ta adhurojë

çdo komb e ishull,

secili në vendin e vet.

12Edhe ti, o Kush,

prej shpatës sime do të theresh.

13Ai do ta ngrejë dorën kundër veriut,

Asirinë do ta zhbijë.

Ninivën do ta bëjë djerrinë,

të thatë porsi shkretëtirë.

14Kopetë e çdo lloji,

në mes të saj do të shtrihen.

Në krythat e saj do të zënë vend

huta dhe iriqi.

Do të kuisë bufi në dritare,

korbi në prag të derës,

se u hoq veshja prej cedri.

15Ky është qyteti ngazëllues

që banonte i sigurt

e me vete thoshte:

“Unë, e tjetër s'ka!”.

Po si ndodhi që u shkretove

e strofull bishash u bëre?

Kushdo që kah ti kalon,

fërshëllen e bën gjeste me duar».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help