1Lum njeriu që nuk gaboi me gojë
e nuk e bren brenga e mëkateve.
2Lum ai që nuk e padit ndërgjegjja
e nuk heq dorë nga shpresa.
3Mendjengushtit nuk i bën mirë kamja.
Ç'i duhen pasuritë lakmitarit?
4Kush grumbullon duke i hequr vetes,
grumbullon për të tjerët,
me të mirat e tij zdërhallen të tjerët.
5Kush është e keqja e vetes,
e mira e kujt mund të jetë?
As pasuritë e veta nuk mund t'i gëzojë.
6S'ka më keq se ai që lakmon veten.
Ky është ndëshkimi për ligësinë e vet.
7Edhe po të bëjë mirë, e bën gabimisht,
por në fund e nxjerr ligësinë.
8Kush lakmon me sy është i lig,
kthen kokën dhe përçmon njerëzinë.
9Syri i lakmitarit nuk ngihet me hisen e vet,
ia zhurit shpirtin padrejtësia e ligë.
10Sykeqi vërsulet mbi bukë
e prapë i mungon në tryezë.
11Bir, po munde, merre veten me të mirë,
kushtoji Zotit dhurata të denja.
12Kujtohu se vdekja nuk vonon
dhe vendimi i skëterrës nuk të është zbuluar.
13Bëja të mirën mikut para se të sosesh,
shtrija dorën e jepi sa të mundesh.
14Mos e lër veten pa një ditë të mirë,
mos lër të të ikë hisja e kënaqësisë.
15A nuk do t'ia lësh mundin tjetërkujt?
A nuk do të ndahet me short fryti i mundit tënd?
16Jep e merr e ngazëlleje shpirtin,
se zdërhallja nuk lypet në skëterrë.
17Gjithkush vjetrohet si petku,
se ka një vendim prej amshimit: «Do të vdesësh!».
18Si gjethet e dendura në një pemë të harlisur,
që disa bien e të tjera bulojnë,
kështu janë breznitë prej mishi e gjaku,
soset njëra e tjetra lind.
19Çdo vepër fishket e ikën
dhe, pas saj, kalon edhe ai që e bëri.
20Lum njeriu që përsiat urtinë
e arsyeton me mend.
21I shqyrton udhët e saj në zemrën e vet
e përsiat të fshehtat e saj;
22e ndjek porsi gjuetar,
zë pritë udhës së saj;
23përgjon nga dritaret e saj,
vë veshin te dyert e saj;
24ngulet pranë shtëpisë së saj,
lidh tendën te muret e saj;
25ngul tendën pranë saj
e banon në banesën e mbarësive;
26i vë fëmijët nën strehën e saj,
pushon nën degët e saj;
27mrizon poshtë saj në zheg
e banon në lavdinë e saj.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
