Judita 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Këshill kundër izraelitëve

1Olofernin, kryeushtarakun e ushtrisë së Asirisë, e lajmëruan se bijtë e Izraelit ishin bërë gati për luftë, kishin zënë qafat e maleve, kishin fortifikuar të gjitha majat e kodrave dhe kishin vënë pengesa në fushë.

2Ai u zemërua fort e thirri të gjithë princat e Moabit, si edhe kryeushtarakët e Amonit dhe qeveritarët e bregdetit,

3të cilëve u tha: «O bijtë e Kanaanit, tregomëni çfarë populli është ky që jeton në malësi. Në çfarë qytetesh banojnë? Sa e madhe është ushtria e tyre dhe ku e kanë fuqinë e forcën? Kush është mbret mbi ta e u prin ushtrive të tyre?

4Pse nuk pranojnë të më takojnë vetëm ata ndër të gjithë banorët e perëndimit?».

5Iu përgjigj Akiori, prijësi i të gjithë amonitëve: «Le ta dëgjojë imzot fjalën e gojës së shërbëtorit të vet dhe unë do të të tregoj të vërtetën për këtë popull, që jeton në malësinë afër teje. Nuk do të dalë asnjë gënjeshtër nga goja e shërbëtorit tënd.

6Ky popull është pasardhës i kaldenjve.

7Dikur jetuan në Mesopotami, se nuk deshën të ndiqnin perënditë e paraardhësve të tyre që jetonin në Kalde.

8Meqë i kishin braktisur doket e paraardhësve të tyre dhe adhuronin Perëndinë e qiellit, Perëndinë që kishin zbuluar, ata i dëbuan nga prania e perëndive të tyre. Atëherë ikën në Mesopotami dhe banuan atje për një kohë të gjatë.

9Perëndia i tyre i urdhëroi ta linin vendin ku banonin si të huaj e të shkonin në Kanaan. Atje zunë vend dhe u bënë të pasur me ar, argjend e shumë bagëti.

10Pastaj zbritën në Egjipt, sepse në tokën e Kanaanit ra zia e bukës. Banuan atje si të huaj për sa kohë nuk u mungoi ushqimi. Atje u bënë një turmë aq e madhe, sa nuk mund të numërohej fisi i tyre.

11Mbreti i Egjiptit u ngrit kundër tyre, i shfrytëzoi, i detyroi të bënin tulla, i poshtëroi e i skllavëroi.

12Ata i thirrën Perëndisë së tyre dhe ai e goditi mbarë dheun e Egjiptit me plagë të pashërueshme. Atëherë egjiptianët i dëbuan nga vetja.

13Pastaj Perëndia e thau detin e Kuq para tyre

14dhe u priu udhës së Sinait e të Kadesh Barnesë. Ata i dëbuan të gjithë banorët e shkretëtirës,

15zunë vend në dheun e amoritëve dhe shkatërruan tërë banorët e Heshbonit me forcat e veta. Pasi kapërcyen Jordanin, morën në pronë tërë malësinë.

16Dëbuan nga vetja kananitët, perizitët, jebusitët, shekemitët e gergesitët dhe banuan atje për një kohë të gjatë.

17Për sa kohë nuk mëkatuan kundër Perëndisë së vet, patën begati, sepse Perëndia që e urren padrejtësinë është me ta.

18Por, kur u larguan nga udha që ai u kishte urdhëruar, u shpartalluan rëndë në shumë luftra e u morën rob në dhe të huaj. Tempulli i Perëndisë së tyre u rrafshua dhe qytetet e tyre i pushtuan armiqtë.

19Por tani janë kthyer te Perëndia i tyre dhe janë kthyer nga vendet ku ishin shpërndarë. Kanë pushtuar Jerusalemin, ku gjendet shenjtërorja e tyre, dhe janë vendosur në malësi, sepse ishte e shkretë.

20E tani, o zot sundimtar, ndoshta ky popull mund të ketë ndonjë pakujdesi, mund të mëkatojë kundër Perëndisë së vet dhe ne mund ta zbulojmë shkeljen e tyre. Atëherë le të ngjitemi e t'i mundim.

21Por, nëse në kombin e tyre nuk ka paudhësi, imzot le t'u shmanget, se Zoti e Perëndia i tyre do t'i mbrojë dhe ne do të bëhemi shpotia e mbarë dheut».

22Kur Akiori mbaroi së thëni këto fjalë, i gjithë populli përreth tendës shushuriti. Prijësit e Olofernit dhe të gjithë banorët e bregdetit e të Moabit thanë se ai duhej copëtuar:

23«Nuk ia kemi frikën Izraelit. Ata janë një popull pa forcë e fuqi për të bërë luftë,

24prandaj le të shkojmë e t'i gëlltisë tërë ushtria jote, o sundimtari Olofern!».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help