1Vendin e Matatisë e zuri i biri, Juda, që quhej Makabe.
2Të gjithë vëllezërit dhe mbështetësit e të atit e ndihmuan dhe luftuan me zell për Izraelin.
3Ia shtoi lavdinë popullit,
u vesh me parzmore vigani,
ngjeshi armët e luftës e luftoi,
fushimin e mbrojti me shpatë.
4Në vepra ishte si luan,
si këlysh luani që i hungërin presë.
5I ndoqi të paudhët e i dëboi,
dogji në zjarr këdo që trazonte popullin.
6Të paudhët u strukën nga frika e tij,
të gjithë keqbërësit u tronditën;
prej dorës së tij doli shpëtimi.
7Hidhëroi shumë mbretër,
Jakobin e ngazëlleu me veprat e tij,
kujtimi i tij do të bekohet përjetë.
8I përshkoi qytetet e Judës,
i zhbiu prej saj të pafetë,
e shporri zemërimin prej Izraelit,
9bëri bujë deri në skajet e dheut
dhe mblodhi rreth vetes të humburit.
Fitorja e Judës10Apolloni mblodhi kombet e njerëz nga Samaria që të luftonte kundër Izraelit.
11Kur e mori vesh, Juda i doli para, e mundi dhe e vrau. Shumë vetë u plagosën për vdekje, ndërsa të tjerët ia mbathën.
12Izraelitët morën prenë e luftës dhe Juda mori shpatën e Apollonit e luftoi me të tërë jetën.
13Seroni, kreu i ushtrisë së Sirisë, dëgjoi se Juda kishte mbledhur rreth vetes një ushtri besnikësh e ishte nisur për luftë.
14Atëherë tha: «Do të bëj bujë e do të bëhem i lavdishëm në mbarë mbretërinë. Do t'i shpall luftë Judës e ushtrisë së tij, se shpërfillën urdhrin e mbretit».
15Një ushtri e fortë të pabesësh iu bashkua për ta ndihmuar dhe u nisën për të ndëshkuar izraelitët.
16Kur iu afruan të përpjetës së Bet Horonit, Juda i doli përpara me një shpurë të vogël.
17Kur panë ushtrinë t'u afrohej, ushtarët i thanë Judës: «Jemi pak. Si do t'ia dalim të luftojmë me atë ushtri të fortë? Për më tepër jemi të këputur nga uria».
18Juda u tha: «Është e lehtë që të shumtët të bien në duart e të paktëve. Për qiellin nuk ka ndryshim në shpëtojnë shumë a pak,
19sepse, në luftë, fitorja nuk varet nga forca e ushtrisë, por nga fuqia qiellore.
20Ata kanë dalë kundër nesh plot mburrje e paudhësi, për të na rrënuar ne, gratë tona e fëmijët tanë e për të na plaçkitur,
21por ne luftojmë për jetën tonë e për doket tona.
22Zoti do t'i shkërmoqë para nesh, por ju mos u trembni prej tyre».
23Pas këtyre fjalëve, sulmoi me vrik Seronin dhe ushtrinë e tij dhe e shkatërroi.
24I ndoqën nëpër tatëpjetën e Bet Horonit deri në fushë. U vranë tetëqind armiq, ndërsa të tjerët ikën në dheun e filistinëve.
25Kështu filluan t'ia kishin frikën Judës dhe vëllezërve të tij. Kombet përreth tyre i mbuloi tmerri.
26Emri i tij mbërriti gjer te mbreti dhe kombet flisnin për betejat e Judës.
Veprimet e Antiokut27Kur i dëgjoi këto fjalë, mbreti Antiok u zemërua fort dhe mblodhi të gjitha forcat e mbretërisë në një ushtri shumë të fuqishme.
28Hapi thesarin, u pagoi ushtarëve nga një vit pagë, dhe u kërkoi të rrinin gati për çdo nevojë.
29Ai pa se paratë ishin mbaruar, sepse taksat sillnin pak të ardhura për shkak të përçarjes e dëmeve të shkaktuara nga prishja e ligjeve të mëparshme.
30Atëherë, pati frikë se nuk do t'i dilnin paratë për shpenzimet e dhuratat, siç kishte bërë herë të tjera, duke u treguar më dorëlëshuar se mbretërit paraardhës.
31U shqetësua shumë dhe vendosi të shkonte në Persi, që të mblidhte taksat në ato vende e të grumbullonte shumë para.
32Në krye të punëve të mbretërisë që shtrihej nga lumi Eufrat, deri në kufijtë e Egjiptit, la Lisinë, njeri i shquar e prej gjaku mbretëror.
33Ai duhej të kujdesej edhe për Antiokun, të birin, derisa të kthehej.
34I dha Lisisë gjysmën e ushtrisë bashkë me elefantët e i la porosi se ç'duhej të bënte me banorët e Judesë e të Jerusalemit.
35E urdhëroi të dërgonte kundër tyre një ushtri për të shkatërruar e zhdukur ushtrinë e Izraelit dhe tepricën e mbetur në Jerusalem. Duhej të zhdukte nga vendi kujtimin e tyre,
36të vendoste të huaj në trojet e tyre e t'u ndante tokën e Izraelit.
37Mbreti mori gjysmën e ushtrisë, u largua nga Antiokia, kryeqyteti i mbretërisë, në vitin njëqind e dyzet e shtatë, kaloi lumin Eufrat dhe marshoi drejt veriut.
38Lisia zgjodhi Ptolemeun, birin e Dorimenit, Nikanorin e Gorgian, burra të fuqishëm e miq të mbretit,
39dhe i dërgoi bashkë me dyzet mijë burra e shtatë mijë kuaj në tokën e Judës, që ta rrënonte sipas urdhrit të mbretit.
40U nisën me gjithë ushtri e fushuan në rrafshinën afër Emausit.
41Tregtarët e zonës, kur dëgjuan se kishte ardhur ushtria, morën me vete shumë ar, argjend e vargonj dhe shkuan te fushimi për t'i blerë izraelitët si skllevër. Atyre iu bashkuan ushtria e Sirisë dhe e vendeve të huaja.
Përgatitja për luftë42Juda e vëllezërit e tij panë se u bë më keq, se ushtritë kishin fushuar në trojet e tyre dhe se mbreti kishte dhënë urdhër të shkatërrohej e zhdukej Izraeli.
43Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Ta ngremë nga rrënojat popullin tonë e të luftojmë për popullin e për vendet tona të shenjta».
44Mblodhën bashkësinë për t'u bërë gati për luftë, për t'u lutur e për të kërkuar mëshirë e dhembshuri.
45Si shkretëtirë u zbraz Jerusalemi,
nuk janë bijtë e tij ata që hyjnë e dalin,
shenjtërorja është shkelur me këmbë,
të huajt e kanë zënë qytetin,
vendbanim kombesh është bërë.
Gëzimi iu hoq Jakobit,
fyelli e harpa heshtin.
46U mblodhën e shkuan në Micpah, kundruall Jerusalemit, se dikur kishte qenë vend lutjeje për Izraelin.
47Atë ditë agjëruan, u veshën me grathore, hodhën hi mbi kokë e grisën rrobat.
48Pastaj hapën librin e ligjit për të kërkuar njësoj siç kërkojnë kombet prej idhujve të tyre.
49Sollën veshjet priftërore, prodhimet e para, të dhjetat, thirrën nazireasit që kishin përmbushur ditët e përkushtimit
50dhe i thirrën qiellit e thanë: «Ç'të bëjmë me këto? Ku t'i çojmë?
51Shenjtërorja jote është shkelur e përdhosur, priftërinjtë e tu mbajnë zi, të poshtëruar.
52Ja, kombet janë mbledhur kundër nesh për të na shfarosur. Ti e di se çfarë thurin kundër nesh.
53Si mund t'u bëjmë ballë pa ndihmën tënde?».
54Atëherë u ranë borive e thirrën me zë të lartë.
55Pas kësaj Juda caktoi udhëheqës të popullit, kryemijës, kryeqindës, kryepesëdhjetës e kryedhjetës.
56Të gjithë ata që po ndërtonin shtëpi, që po martoheshin, që po mbillnin hardhi e që kishin frikë i urdhëroi të ktheheshin në shtëpi, sipas ligjit.
57Pastaj ushtria lëvizi e fushoi në jug të Emausit.
58Atëherë Juda tha: «Ngjishni armët, merrni fuqi dhe që në mëngjes përgatituni për luftë me këta kombe që janë mbledhur për të na shkatërruar ne e shenjtëroren tonë.
59Më mirë të vdesim në luftë, se të shohim shkatërrimin e kombit tonë e të shenjtërores sonë.
60U bëftë vullneti i qiellit».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.