Isaia 34 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Gjykimi i Edomit

1Afrohuni, o kombe, e dëgjoni,

ju, o popuj, mbani vesh!

Le të dëgjojë toka e gjithçka në të,

bota e gjithçka që ajo prodhon!

2Zemërimi i Zotit shfreu mbi gjithë kombet,

furia e tij mbi gjithë ushtritë e tyre,

shkatërrimin e tyre e ka vendosur,

i ka caktuar për shfarosje.

3Të vrarët e tyre do të hidhen përtokë,

era e qelbur e kufomave do të përhapet,

malet do të qullen me gjakun e tyre.

4Tërë ushtria e qiellit do të shfaroset,

qiejt si rrotulla do të mblidhen,

gjithë ushtria e tyre do të bjerë,

siç bien gjethet e hardhisë,

si gjethet e thara të fikut.

5Vringëllon shpata ime në qiell,

e ja, përmbi Edomin do të bjerë,

mbi popullin që caktova për shfarosje,

gjykimin për të kryer.

6Shpata e Zotit kullon gjak,

plot dhjamë është mëlmyer,

me gjak qengjash e kecash,

me dhjamë veshkash dashi,

se flija e Zotit po kushtohet në Bocrah,

kërdi e madhe në vendin e Edomit.

7Bashkë me ta po theren buaj,

mëzetërit bashkë me demat,

me gjakun e tyre po dehet toka,

dheu i tyre po mëlmehet me dhjamë.

8Se është dita e hakmarrjes së Zotit,

viti i shpagimit për hir të Sionit.

9Përrenjtë e Edomit do të kthehen në katran,

dheu i tij do të bëhet squfur,

katran i ndezur toka e tij.

10S'do të shuhet as ditën, as natën,

tymi përherë do të dalë prej tij,

i shkretë do të mbetet brez pas brezi,

kurrë më nëpër të s'do të kalojë kush.

11Zotër të tij do të jenë huta e iriqi,

kukuvajka e korbi në të do të banojnë.

Mbi të Zoti do të shtrijë litarin e rrënimit,

bashkë me plumbçin e zbrazëtisë.

12Fisnikë atje s'do të ketë më,

që mbretëri atë ta quajnë,

të gjithë princat do të jenë zhdukur.

13Në fortesat e tij do të mbijnë ferra,

në kullat e tij hithra e driza,

strofull për çakejtë do të bëhet,

fole për këlyshët e strucit.

14Macet e egra do të takohen me hienat,

dhitë e egra do të thërrasin njëra-tjetrën,

atje do të bëjnë fole egërsirat e natës,

aty do të gjejnë strehë.

15Atje do të ngrejë folenë shigjetulla,

vezët e veta aty do t'i shtrojë,

do t'i çelë e do t'i rritë nën hijen e saj

e atje do të mblidhen bashkë hutat.

16Kërkoni në librin e Zotit e lexoni:

«Asnjë prej atyre kafshëve s'do të mungojë,

asnjërës s'do t'i mungojë shoqja e vet.

E ka urdhëruar Zoti me gojën e vet,

vetë shpirti i tij i ka bashkuar.

17Ai vetë hodhi short për to,

dora e tij e ndau tokën me matës.

Ato do ta trashëgojnë në amshim,

brez pas brezi në të do të banojnë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help