1Ka qortim të pavend,
ka heshtje me mend.
2Më mirë të qortosh, se të gërgasësh.
3Kush pranon fajin i shpëton gabimit.
4Si eunuku që synon virgjërinë e një vashe
është ai që bën drejtësi me forcë.
5Dikush hesht e çmohet i urtë,
dikush urrehet se flet shumë.
6Dikush hesht se s'ka përgjigje,
dikush hesht se e di kohën.
7Njeriu i urtë hesht derisa të vijë koha,
por mburraveci dhe i papjekuri e humbin rastin.
8Fjalëshumi bëhet i neveritshëm,
kush merr pushtet bëhet i urryer.
9Dikush e gjen mbarësinë në fatkeqësi,
por ka edhe arritje që kthehet në dështim.
10Ka dhuratë që nuk të duhet,
por ka edhe dhuratë që shpërblen dyfish.
11Ka lavdi që çon në poshtërim,
por dikush lartësohet nga përulësia.
12Dikush paguan pak e blen shumë,
por dikush paguan shtatëfish.
13Fjalëurti bëhet i dashur,
por të marrit i shkon huq mirësia.
14Dhurata e të pamendit nuk të sjell dobi,
se ia ka vënë syrin fitimit të madh.
15Jep pak e qorton shumë,
e ngre zërin si kumtar,
ç'huan sot, e kërkon nesër.
Njeriu i tillë është i urryer.
16I marri thotë: «Mik nuk kam,
nuk ma di kush për mirë».
17Ata që hanë bukën e tij janë gojëprishur,
Sa vetë do ta përqeshin e sa shpesh!
18Më mirë të rrëshqasë këmba, se gjuha.
Kështu të ligjtë do ta kenë rrëzimin të beftë.
19Njeriu i pagdhendur është si tregimi i pavend,
rri pareshtur në gojën e të paditurve.
20S'pranohet fjala e urtë nga goja e të marrit,
se nuk e thotë në kohën e duhur.
21Dikush nuk mëkaton se s'e lë skamja
dhe pushon pa e brejtur ndërgjegjja.
22Dikush e bjerr shpirtin prej turpit,
dikush e bjerr nga ndonjë fytyrëçartur.
23Dikush i bën premtime mikut nga sedra
dhe i bën vetes një armik më kot.
24Si damkë e keqe i rri njeriut gënjeshtra,
pareshtur në gojën e të paditurve.
25Më mirë vjedhësi, se gënjeshtari pandreqshëm,
megjithëse rrënimi i pret që të dy.
26Gënjeshtari është i mësuar me çnderimin,
turpin e ka gjithmonë me vete.
27Fjalëurti përparon,
njeriu i mençur u pëlqen të mëdhenjve.
28Kush punon tokën ia mbledh të korrat,
kush u pëlqen të mëdhenjve i shlyen paudhësitë.
29Bujaria e dhuratat i errin sytë të urtit,
ia ndalin qortimet gojës si me fre.
30Urtia e fshehur dhe thesari i padukshëm,
ç'dobi kanë secila?
31Më mirë njeriu që fsheh marrëzinë,
se ai që fsheh urtinë.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
