2 Kronikave 18 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Besëlidhja e Joshafatit me Ahabin

1Joshafati pati shumë pasuri dhe lavdi. Ai lidhi krushqi me Ahabin.

2Pas shumë vitesh Joshafati shkoi për ta parë Ahabin në Samari dhe Ahabi theri shumë dele e bagëti për nder të tij e të shpurës së tij. Ahabi ia mbushi mendjen Joshafatit, që të shkonte bashkë me të për të sulmuar Ramotin e Gileadit.

3Atëherë Ahabi, mbreti i Izraelit, i tha Joshafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Ai iu përgjigj: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe unë do të jem me ty në betejë».

4Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin».

5Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, katërqind në numër, e u tha: «A të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, se Perëndia ka për t'ia dorëzuar mbretit».

6Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?».

7Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, nëpërmjet të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!».

8Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, birin e Imlahut!».

9Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi, që ndodhet pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre.

10Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta tejshposh Aramin derisa ta shkatërrosh krejt».

11Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit».

Mikahu parathotë humbjen

12Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi».

13Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them ç'të më thotë Perëndia im».

14Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shkoni e ju priftë e mbara! Zoti do t'jua dorëzojë qytetin».

15Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?».

16Atëherë Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe».

17Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?».

18Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve që qëndronin në të djathtë e në të majtë të tij.

19E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai.

20Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”.

21Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”.

22Kështu, pra, Zoti ka vënë një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje».

23Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Mos u largua Shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?».

24Mikahu iu përgjigj: «Do ta marrësh vesh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë».

25Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit,

26e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë».

27Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh të gjithë ju, o njerëz!».

Vdekja e Ahabit

28Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit.

29Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti rri veshur me rrobat e tua mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat për të mos u njohur e ata shkuan për të luftuar.

30Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarët e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit».

31Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës dhe Zoti e ndihmoi. Perëndia i largoi prej tij ata që e ndiqnin.

32Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja.

33Por një luftëtar ndehu rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, se jam plagosur».

34Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij, ballë për ballë me luftëtarët e Aramit, deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, mbreti vdiq.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help